Instituti për Mjekësinë Ligjore ka bërë të ditur se Laboratori i Toksikologjisë në këtë institucion është jashtë funksionit për shkak të procesit të renovimit në te gjitha hapësirat e brendshme të objektit të IML-së, përfshirë dhe hapësirën e laboratoreve.
Në një njoftim të lëshuar për media sot thuhet se menjëherë pas përfundimit të këtij procesi në shtator, do të bëhet servisimi dhe kalibrimi i pajisjeve dhe aparaturave laboratorike, në mënyrë që të sigurohet analizimi i mostrave sipas standardeve të kërkuara.
‘Duke marrë parasysh natyrën jashtëzakonisht të ndjeshme të pajisjeve, si dhe kompleksitetin teknik të sistemit të gazrave i cili përdoret në këtë laborator, zhvendosja e tyre në një hapësirë tjetër gjatë kësaj periudhe ka qenë e pamundur”.
“Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe kohore të mosfunksionimit të laboratorit, me urdhëresë të prokurorëve përkatës, një numër i caktuar i mostrave janë dërguar dhe do të dërgohen për analizim toksikologjik në vendet e rajonit dhe Evropës”, thuhet në njoftim.
IML-ja shtoi se kjo deklaratë erdhi sot pas një mori pyetjesh që morën për funksionimin e Laboratorit të Toksikologjisë, pasi u raportua sot gjatë ditës se rasti i Agon Zejnullahut është dëguar për në shtetet e BE-së.