Identifikohet sulmuesi i dyshuar i ambasadës amerikane në Podgoricë

Prokuroria dhe policia në Mal të Zi e identifikuan sulmuesin e dyshuar të ambasadës amerikane në Podgoricë si Dalibor Jaukoviq, i lindur në Kralevë të Serbisë.
I dyshuari hodhi një pajisje shpërthyese në ndërtesën e ambasadës në orët e para të ditës së sotme, përpara se të vriste veten.
Qeveria e Malit të Zi tha se pajisja e hedhur në ambasadë “ka shumë të ngjarë” të ketë qenë granatë dore dhe se hetimet janë në proces.
Ambasada amerikane në Podgoricë tha se akush nga stafi nuk është plagosur.
Drejtoria e Policisë së Malit të Zi tha se nuk i di ende motivet e sulmuesit.
“Ky person mashkull, sipas aktiviteteve të ndërmarra deri më tani, është vrarë pasi ka shpërthyer një mjet shpërthyes dhe pasi ka hedhur një mjet shpërthyes në kompleksin e ambasadës”, thuhet në deklaratën e policisë.
Në të njëjtën theksohet se nuk ka asnjë dëm tjetër përveç një krateri nga shpërthimi.
Në një postim në Twitter, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, konfirmoi se ka pasur një “shpërthim të vogël pranë kompleksit të ambasadës amerikane në Podgoricë”.
Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

Lexo edhePodgoricë, ky është terroristi që sulmoi ambasadën amerikane e më pas vrau vetën
“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e saj.
Ambasada po ashtu i udhëzoi amerikanët që t’i shmangin tubimet e mëdha në Podgoricë dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën.
Ajo i anuloi të gjitha shërbimet e parapara për ditën e sotme.
Qeveria e Malit të Zi tha se e dënon fuqishëm sulmin, ndërsa ministri i Brendshëm malazez, Mevludin Nuhoxhiq, dhe drejtori i Policisë, Sllavko Stojanoviq, vizituan sot vendin e ngjarjes dhe ambasadën amerikane.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, tha se dhuna nuk është diçka që mund të falet, porse BE-ja pret rezultatet e hetimeve që po bëjnë autoritetet malazeze.
Incidenti në Podgoricë ndodhi saktësisht dhjetë vjet pasi demonstruesit sulmuan dhe dogjën ambasadën amerikane në Beograd, në shenjë kundërshtimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Mali i Zi i është bashkuar NATO-s vitin e kaluar, duke zemëruar qytetarët pro-rusë atje dhe gjetkë në Ballkan. /rel/














