Icardi-Inter, tjetër përplasje? Ja oferta për rinovimin

Siç njoftoi Beppe Marotta, Interi është gati për të zyrtarizuar ofertën e rinovimit me Mauro Icardin, edhe pse situata me ish-kapitenin, të cilit iu hoq shiriti, nuk është qetësuar ende.
Në numrin e sotëm të “Corriere dello Sport” shpjegohet se drejtuesit e klubit zikaltër do t’i bëjnë propozimin e vet argjentinasit, që ata e gjykojnë të përshtatshëm, në mënyrë që më në fund të dalë “tym i bardhë”.
Merret vesh se Marotta do t’i ofrojë një kontratë prej 6.5 milionë euro në sezon, e cila të shtrihet në kohë deri në vitin 2023.
Një shumë shumë më e ulët se ajo që ka qenë kërkesa e menaxheres së lojtarit, Wanda Nara, e cila kërkoi nga zikaltrit diçka mes 9 dhe 10 milionë eurove në sezon. Të paktën sipas atyre që bëjnë me dije mediat italiane.
Tani topi do të kalojë pafundësisht te Wanda Nara (gruaja dhe menaxherja e sulmuesit), e cila do të duhet të vendosë nëse do ta pranojë apo jo propozimin e Interit.
Tashmë nuk ka kthim prapa. Palët duhet të vendosin. Një zgjedhje për t’u parë, duke pasur parasysh se javën e kaluar, në “Tiki Taka”, gruaja e ish-kapitenit zikaltër shpjegoi se deri në fund të sezonit nuk do të kishte rinovim kontrate me Interin.

Lexo edheA do të festojë Maliqi nëse i shënon Feronikelit?
Kjo çështje ka krijuar shumë zhurmë në mjedisin zikaltër dhe më gjerë. Icardi nuk e ka kapërdirë dot zgjedhjen e klubit për t’i hequr shiritin.
“Ky veprim ishte sikur dikush t’i kishte prerë njërën këmbë Icardit”, – shpjegoi gruaja e tij në lot, por kjo gjë nuk do të jetë temë e diskutimit.
Interi është i vendosur: vendimi i marrë nuk do të kthehet mbrapsht. Mbetet për të kuptuar nëse vendimi në fjalë do të ndikojë në rinovimin e argjentinasit me Interin apo jo.
Klube të tjerë vigjëlojnë, mes tyre edhe Juventusi armik./Telesport/














