Me rastin e 20 vjetorit të rënies heroike të Heroit Fehmi Lladrovcit dhe Heroinës, Xhevë Krasniqi – Lladrovci në Sheshin e Drenasit qe edhe mban emrin e dy heronjve, është mbajtur manifestimi i përurimit të shtatorëve i përjetësuar ne bronz.
Ne këtë manifestim, që është mbajtur nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merrnin pjesë Presidenti Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, Kryeministri Ramush Haradinaj, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, ish kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, nga lugina e Preshevës, Shukri Imeri, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, Gjeneral Rrahman Rama, kryetar të Komunave të Kosovës, deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shumë personalitete të njohura të kombit.
Fillimisht, historiani Bedri Islami me një kumtesë, ka paraqitur historinë e Fehmiut e Xhevës. Islami ndër të tjera ka thënë se jemi krenar e të lumtur që i takojmë epokës së Fehmiut e Xhevës.
14 fëmijët që mbajnë emrat e dëshmorëve, respektivisht fëmijë të dëshmorëve, kanë bërë zbulimin e shtatorëve të Fehmi e Xhevë Lladrovcit.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladorvci në fjalimin e tij, ka thënë se “sot, kemi realizuar një nga detyrat për personalitetin e Fehmi Lladrovcit e Xhevë Krasniqi – Lladrovci, heroit dhe heroinës së Kosovës, nderi i kombit. Rruga e Fehës dhe Xhevës deri në këtë shesh, zgjati 20 vjet. Ishin vite të rënda dhe plot mall. Sot kisha dashur të jetë edhe Baba Tush në këtë ditë të veçantë, edhe pse e parandiente se shtatoret ende pa u hedhur në bronz, gjatë punimeve i kishte pëlqyer shumë. Por me ne është nëna Ki, e cila ka kujtimet e historisë tonë të re, që nga mësuesi i parë i Fehës, heroi Fazli Grajçevci, për axhën tim, Jahirin që u vra në luftë dhe të gjithë shokët e organizimit dhe rezistencës së armatosur nga Ademi, Hamza, Ilazi, Shabani, Hafiri e shumë e shumë të tjerë”, ka thënë ndër të tjera kryetari Lladrovci.
Kryetari Lladrovci, ka paralajmëruar se gjatë mandatit të tij, mbrapa vendit ku mbante fjalën do të vendoset shtatorja e heronjve Bedri Shala e Rasim Kiçina dhe do të ndërtohet edhe një shesh me emrin e tyre që do të jetë më i bukur se ky tani, siç ka theksuar kryetari Lladrovci.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kohën e Fehmiut e Xhevës na ka bashkuar ideali i paqes e lirisë. ”Sot është ditë e veçantë. Në këtë vend na ka bashkuar si gjithnjë lufta, heroizmi i Xhevës dhe Fehmiut. Për Xhevën dhe Fehmiun se ata të dy ishin janë dhe do të mbetën në përjetësi si emblema të UÇK-së. Kam pasur rastin dhe krenarinë e përjetimeve të rrezikshme në tejkalimin e kufijve. Ajo që mund të them është se fryma, angazhimi dhe mesazhet unifikuese dhe mobiliezuaese të Xhevës dhe Fehmiut për qytetarët e Kosovës janë të pakrahasueshme. Ishte mesazhi i qartë i një renje sublime se lufta do të vazhdonte deri në çlirimin e Kosovës. Kam pasur privilegjin që para se të njoh edhe Xhevën edhe Fehmiun, të njoh prindërit e tyre, që me edukatën e tyre me gjithë atë angazhim të jashtëzakonshëm bën që të rriten edhe heroina e kombit Xheva, si dhe Fehmiu po ashtu. Këtu gjenden edhe pjesëtarë të Luginës së Preshevës të cilët i kam mbështetur vazhdimisht dhe përkrahur. E përsëris, nuk do të lejojë ndarje të Kosovës apo ndonjë opsion siç është Republika Srpska është e papranueshme”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se “Le t’i themi faleminderit heroit Fehmi Lladrovcit dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovcit që na bashkuan të gjithëve sot këtu për t’u uruar rikthimin në bronz në Drenas, në Drenicë e në Kosovë, pasi ata janë jo vetëm nderi i historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por janë nder i mbarë kombit shqiptar sepse janë një shembull i jashtëzakonshëm i sakrifikimit më sublim në emër të lirisë dhe të emër të idealeve më të mëdha të cilat sollën Kosovën e lirë dhe Kosovën e pavarur. Padyshim, që Kosova ka mjaft sfida të cilat ne besojmë se do t’i përballojë me sukses, nga liberalizimi i vizave që shpresojmë se do të ndodhë shumë shpejt, te ecja përpara e proceseve integruese në BE, padyshim edhe sa i takon anëtarësimit të saj NATO. Nuk duhet të harrojmë që një nga veprat e këtyre heronjve ishte pikërisht që e sollën NATO-n në Kosovë, në emër të lirisë së këtij populli, por edhe të sigurisë së Kosovës dhe të mbarë rajonit tonë”, ka thënë Presidenti Meta.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka kujtuar kohën e lavdishme të Fehmi e Xhevë Lladrovcit të cilët me padurim prisnin të vinin në Drenicë për të çliruar Kosovën. “Fehmi e Xheva nuk patën fatin të kenë fëmijët e tyre, por ma sakrificën e tyre, ata na lanë një trashëgimtar të paçmueshëm, lirinë e Kosovës. Sot, e përgjithmonë në këtë shesh të bukur të Drenasit, do të qëndrojnë shtatorët e dy figurave më emblematike të luftës çlirimtare, Fehmiut dhe Xhevës. Vitet kalojnë, gjeneratat vijnë njëra pas tjetrës, ne bashkëluftëtarët e tyre po plakemi, por veç një gjë nuk ndryshon kurrë, nderimi dhe respekti për heronjtë tanë. Ata janë gjithmonë me ne”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në manifestimin e përurimit të shtatorëve të heronjve Fehmi dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci, ka thënë se shqiptarët janë populli të cilët rrugën për liri e patën me përvojën më të gjatë të mundshme. ”Jemi populli që në rrugën për liri e kemi përvojën më të gjatë, ndoshta i takojmë popujve të botës që rrugën e vet deri në liri e kanë më të gjatë të mundshme, mbi mijëra vjet. Por traditën për ta kultivuar lirinë, vlerat e lirisë dhe mundësinë, e kemi për të parën herë në Kosovë. Kushdo që ka pasur nderin t’i njohë sado shkurt, e dinë se kush ishin Fehmi e Xhevë Lladrovci. Përulemi me respekt para kësaj vepre kaq të mirë dhe të qëlluar të kultivimit të vlerave të lirisë dhe përjetësimit në shtatore të heronjve tanë”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar presidentin Thaçi dhe kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci për organizimin e kësaj ngjarje.
Ish-kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe ministër i Qeverisë, Pandeli Majko ka thënë se personalitetet sikur Fehmiu e Xheva, nuk i takojnë vetëm Drenicës, por gjithë kombit shqiptar. “Ky burrë dhe kjo grua,të cilët qendrojnë para nesh, thanë se ne mundemi dhe e bënë atë që kishin për synim për të na sjellur aty ku jemi sot. Të rrallë lindin si këta dy heronj”, ka thënë Majko.
Kryetari i Shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti ne këtë manifestim, para mijëra pjesëmarrësve, ka thënë se dy heronjtë sikur Fehmiu e Xheva, të dalur nga lufta e lavdishme, me një histori patriotike e atdhetare mbi 25 vite të bartur në historinë e tyre, është shumë e vështirë të gjesh fjalë për ta. “Kam pasur fatin të njoh, të punoj mbi 20 vite me Fehmiun e Xhevën. Ata ishin frymëzuesit me të mëdhnj për idealet e kombit. Drenasi, Drenica e gjithë shqiptaria të jenë krenar për këta dy trima që ka rritur”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa përfaqësuesi nga lugina e Preshevës, Shukri Imeri, ka thënë se sjellë respektin dhe nderin e gjithë luginës që fatkeqësisht sot nuk janë siç duhet e kërkohet.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ne fjalën e rasitit, ka theksuar se nga sot, jo vetëm Drenasi, por krejt Drenica e Kosova, ka më shumë hijeshi e madhështi. “Përjetësia e Bacës Fehë e Dadës Xhevë, i dedikohet shekujve, i dedikohet gjeneratave të tashme e të ardhme të kombit tonë, se si jetohet e vdiset për atdhe, ashtu si Komandanti ynë legjendar Adem Jashari. Kur mblidhen fijet e kujtesës dhe të kaluarës tonë që tashmë janë pjesë e historisë, Gjeneral nënkolonel Fehmi Lladrovci dhe Gjeneral major Xhevë Lladrovci, janë mostrat e idealeve tona, si fitohet liria si mbrohet jeta dhe qenia jonë kombëtare”, ka thënë ndër te tjera Jashari.
Në fund të manifestimit, i gjithë delegacioni shtetëror ka venë kurora me lule të freskëta pranë shtatorëve të Heroit Fehmi Lladrovci dhe Heroinës Xhevë Krasniqi – Lladrovci.