
Instanca më të lartë gjyqësore në vend e konsideron të pakonstituuar Kuvendin dhe për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, aktgjykimi i fundit është i qartë.
“Ajo që Gjykata do të duhej të thoshte, megjithatë, ka të bëjë me sanksionimin e sjelljes jokushtetuese të partisë që fiton shumicën e zgjedhjeve nga radhët e shqiptarëve”, Enver Hasani në një intervistë me shkrim.
Sidoqoftë, Kushtetuesja, thotë ai, “me guxim të madh, ka thënë përfundimisht se deputetët kanë detyrim kushtetues për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, nëse duan të kenë një Kuvend të konstituar”.
Gjykata konstatoi se procedura për zgjedhjen e Emilija Rexhepit nënkryetare e Kuvendit nga komunitetet e tjera minoritare joserbe nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Duke ‘amnistuar’ zgjedhjen e zonjës Emilia Rexhepi, Gjykata Kushtetuese ka ‘shpëtuar fytyrën’ e LVV-së, por njëkohësisht ka krijuar iluzione tek ata se, me presione terrorizuese, mund të fitojnë koncesione edhe në të ardhmen – koncesione që mund të çojnë në zgjedhjen e një serbi ‘të mirë për pushtetin’, por që nuk e përfaqëson komunitetin serb në Kosovë”, thotë Hasani.
Por mënyra e administrimit të shortit, sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, “ka qenë jokushtetuese” sipas aktgjykimit dhe Hasani thotë se Gjykata nuk ka konstatuar “asnjë shkelje kushtetuese në veprimet e ‘Listës Serbe’”.
“Problemi ka qenë dhe mbetet tek sjelljet jokushtetuese, të përsëritura në vazhdimësi, nga partia e parë fituese e zgjedhjeve”, sipas tij. Hasani, konsideron, njësoj siç thotë se ka konstatuar edhe Gjykata, se “gjendja është e qartë dhe e pastër si loti”.
Kushtetuesja “më nuk ka ndërmend të merret me këtë çështje”, thotë Hasani, i cili, për dallim prej kolegëve në Kushtetuese, thotë se ka frikë se “kjo ‘rashomoniadë’ do të vazhdojë, me aktorë të njëjtë, me të njëjtën qasje dhe me të njëjtin qëllim”.Express