back to top
Thursday, September 4, 2025
BallinaLajmeGjykimi ndaj Nagip Krasniqit, çka dëshmoi Kryetari i Bordit të ZRRE-së

Gjykimi ndaj Nagip Krasniqit, çka dëshmoi Kryetari i Bordit të ZRRE-së

Të ngjajshme

Bie Google dhe shërbimet e saj, përfshirë YouTube e Gmail

Google dhe gjithë shërbimet e saj, si Google Search,...

Sherr mes tri femrave në Pejë

Tri femra shtetase të Kosovës, janë përfshirë në një...

6 raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

6 raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë...

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), i cili deklaroi se procesi i monitorimit nga ZRrE-ja kishte filluar në kohën e krizës energjetike kur vërejtën devijime të sistemit dhe se u ndëshkuan të gjitha kompanitë e licencuara për shkak të tregtimit me operator të palicencuar- HSE.

Fejzullahu fillimisht u përgjigj në pyetjet e prokurorit special Dren Paca, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lidhur me procesin e monitorimit që ZRrE-ja e kishte filluar në vitin 2022, dëshmitari Fejzullahu deklaroi se në bazë të gjetjeve të këtij procesi, ishin ndëshkuar të gjitha kompanitë e licencuara.

“Në bazë të atyre gjetjeve konform regullave të ZRrE-së, janë ndeshkuar pa përjashtim të gjithë të licensuarit që kishin vepru jo në harmoni me kushtet e ZRrE-së”, tha Fejzullahu.

Lidhur me deklarimin se gjatë procesit të monitorimit të ZRrE-së, disa herë kishin rekomanduar kompanitë e licencuara në këtë rast KEK, KESCO, KOSTT dhe KEDS që të veprojnë sipas rregullave ligjore, prokurori Paca, pyeti dëshmitarin Fejzullahu sa herë u ishte bërë kjo thirrje këtyre operatorëve, që të ndërprejnë tregtimin me operatorin HSE. Ndërsa, dëshmitari tha se të gjitha të dhënat gjenden në raporte.

“Nuk e di, mund të them mund të ketë qenë më shumë se një vit, nuk e di sa herë kemi dërguar rekomandime, janë në raporte”, deklaroi Fejzullahu.

Ndërsa, sa i përket respektimit të këtyre rekomandimeve, Fejzullahu theksoi se të gjithë operatorët kishin pretenduar se kanë të drejtë të vazhdojnë tregtimin.

“KEK-u gjatë komunikimeve ka kërkuar dhe pretenduar se interpretimi i ZRrE-së nuk qëndron ku janë edhe kundërshtimet me shkrim, kanë pretenduar se kanë të drejtë me tregtu me këta operatorë përmes nenit për njohje reciproke të licencave dhe ka kërkuar rikonfirmim nga Bordi i ZRrE-së për qëndrimin që kanë pasur antarët e ZRrE-së”, u përgjigj Fejzullahu.

Kurse, i pyetur nga prokurori Paca lidhur me epilogun e kontesteve dhe gjobave që u kishte dhënë ZRrE-ja këtyre operatorëve, dëshmitari Fejzullahu tha se me sa i kujtohet të gjitha vendimet e ZRrE-së janë kundërshtuar, mirëpo pagesat janë përmbushur. Ndërkaq, për kontestet gjyqësore në shkallë të parë, vetëm operatori KOSTT e kishte fituar rastin.

“Nuk më kujtohen krejt por sa di në nivel të gjithë këtyre në shkallë të parë i vetmi i cili ka fitu rastin ka qenë KOSTT-i, mirëpo në shkallë të dytë ka fituar përsëri ZRrE-ja”, tha Fejzullahu.

Më pas, pyetje për dëshmitarin Fejzullahu parashtroi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Virtyt Ibrahimaga, i cili e pyeti se përse kishte fillluar ndëshkimi i kompanive pikërisht në vitin 2022 dhe jo për shembull në vitin 2020.

Kryetari i Bordit të ZRrE-së deklaroi se procesi i monitorimit kishte filluar në kohën e krizës energjetike në vitin 2021 kur ishin vërejtur disa devijime të sistemit, ndërsa fillimisht monitorimi kishte filluar ndaj KEDS dhe KESCO, si dhe kishte vazhduar me KEK-un dhe KOSTT-in, pasi që, sipas Fejzulllahut, nuk ishte i mundur monitorimi paralel i katër operatorëve.

“Ky hetim është filluar në KEDS dhe KESCO dhe janë marrë masa dhe gjoba. Pas finalizimit të këtij procesi, stafi i ZRrE-së ka vazhduar edhe me KOSTT dhe KEK, sepse ne nuk kemi mundur paralelisht me i hetu katër kompanitë”, tha ndër të tjera Fejzullahu.

I pyetur lidhur me njohuritë për komapaninë HSE, Fejzullahu deklaroi se është kompani sllovene që operon me standardet e BE-së.

“Sa kam dëgjuar është kompani sllovene, një më të fuqishmet lidere që aplikon standardet më të larta pasi operon në një shtet të BE-së dhe s’kemi dyshim që operon sipas standardeve më të mira”, tha tutje Fejzullahu.

Në anën tjetër, i akuzuari Krasniqi e pyeti Fejzullahun se cili do të ishte impakti nese do të përjashtohej kompania HSE dhe a i bie që KEK-u do të operonte me çmime më të larta. E Fejzullahu u përgjigj se do të kishte ulje të konkurrencës.

“Mendoj se nëse do të ishte përjashtuar, do të kishim ulje të konkurrencës dhe rritje të çmimit”, tha Fejzullahu.

Prokurori e pyeti dëshmitarin nëse kriza energjetike e justifikon KEK-un për tregtimin me kompani të palicencuara kur ofertonin edhe kompani të tjera të licencuara, ndërkaq dëshmitari tha se sa më shumë konkurrencë çmimet janë më të ulëta.

“Nuk mund ta argumentoj, por sa më shumë konkurrencë, do të thotë çmime më të ulëta për konsumatorët, çdo ulje e konkurrencës do të kishte rritje të çmimit”, u shpreh Fejzullahu.

Fejzullahu u pyet edhe nëse ka qenë i drejtë në raport me operatorët tjerë ofertimi nga një kompani (HSE) me një çmim eventual më të favorshëm se operatorët tjerë të licenuar që i kanë kontribuar konkurrencës, të cilët kur kanë ofertuar duhet të kishin parasysh se ngarkesat fiskale që rrjedhin nga shitja eventuale e energjisë elektrike.

“Nuk besoj që do të kishte favor në raport me të tjerët nëse kanë respektuar rregullat fiskale. Kjo është bindja ime”, u përgjigj dëshmitari.

Ai shtoi se rreth 30 kompani të licencuara kanë të drejtë tregtimi në Kosovë.

Ndryshe, në fillim të seancës, dëshmitari Fejzullahu kërkoi nga trupi gjykues shtyrjen e seancës me arsyetimin se ftesën për seancë e kishte pranuar dje pasdite dhe i gjithë qëllimi i kësaj kërkese, sipas tij, është lënia e mundësisë që dëshmitari t’i shoh shkresat e lëndës, me arsyetimin se ka kaluar kohë e gjatë prej kur ishte marrrë në pyetje nga Prokuroria lidhur me këtë rast.

Prokurori Paca, kërkesën e dëshmitarit Fejzullahu e cilësoi të pazakontë, por megjithëkëtë deklaroi se këtë çështje ia lë në diskrecion Gjykatës.

Ndërsa, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Arben Hoti, mori aktvendim me të cilin e refuzoi propozimin e dëshmitarit Fejzullahu, me arsyetimin se një kërkesë e tillë është në kundërshtim me rregullat për dëshmitarët.

Seanca e radhës pritet të mbahet në muajin tetor.

Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024. I pafajshëm ai u deklarua edhe në seancën e 3 korrikut 2025.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.

Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë. Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.

Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.

Tutje, thuhet se ZRrE më 19 gusht 2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.

Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin të gjeturat e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura më lartë, KEK do të respektoj përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRrE që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRrE”, thuhet në aktakuzë.

Kjo përgjigje e grupit punues, sipas Prokurorisë nuk ishte dërguar e plotë. Në e-mailin e përcjellë nga Eljas Jashari, thuhet se ishin dërguar vetëm komentet mospajtuese që kundërshtonin të gjeturat e ZRrE-së, duke konsideruar se nuk kishin nevojë për licenca shtesë, meqë të njëjtat ishin të licencuara në shtetet e tyre.

“Sipas përgjigjes së lartcekur rezulton se ZRrE-së nuk i ishin përcjellë qëndrimet e grupit punues të KEK, por qëndrimi personal i Nagip Krasniqit”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, thuhet se edhe nga opinioni i zyrës ligjore të KEK-ut, ku në ‘cc’ ishte edhe vetë i pandehuri Krasniqi, i kishte dhënë të drejtë ZRrE-së, duke e vënë në dijeni të akuzuarin Krasniqi që duhet të respektohet rregullatori pasi është autoriteti shtetëror që ka kompetencë për këtë fushë. Madje, sipas këtij opinioni edhe kur KEK-ka dërguar rastet në Gjykatë, ZRrE ka fituar rastet dhe kërkesëpaditë e tyte janë refuzuar, pasi kompetenca e tyre është përfundimtare për çështjet e energjisë elektrike.

Nagip Krasniqit, sipas aktakuzës i ishte dërguar edhe një e-mail nga Departamenti i Menaxhimit të Tregtimit me Energjinë duke kërkuar nga Krasniqi konfirmimin nëse duhej tregtuar me operatorin “HSE”, duke theksuar se nga përgjigja dërguar ZRrE-se, nënkuptohej se duhej të vazhdohej tregtimi.

I akuzuari Krasniqi ishte përgjigjur “konfirmoj vazhdimin e tregtimit sipas përgjigjes që i është dërguar ZRrE-së”. Si pasojë e kësaj, tregtimi me ketë operator të palicencuar kishte vazhduar deri në pezullimin dhe ndërprerjen përfundimtare të kontratës në maj 2023, përkatësisht gusht 2023.

Me konfirmimin që drejtori operativ, Luigj Imeri kishte kërkuar nga kryeshefi Krasniqi, në këtë korrespodencës, sipas Prokurorisë thuhet se pas përgjigjes së Krasniqit, Anjeta Zeqiri dhe Besa Shatri ishin tallur.

“Hahaha ja ke prish tripat”, “Ej qetu Luigji ka pas me dhanë dorëheqje…i paska ra pishman”, ishin replikat në ketë e-mail zyrtar.

Operatori nga Sllovenia thuhet se nuk ishte në listën e kompanive të licencuara e sipas ARBK-së, as e regjistruar si biznes në Kosovë.

Tutje, në aktakuzë bëhet e ditur se pas shkresës se KEK-ut të 7 gushtit 2023, vërtetohet se pas arrestimit të Nagip Krasniqit (për çështje që nuk ndërlidhen me këtë rast), KEK më 19 maj 2023 fillimisht kishte njoftuar “HSE” se po e pezullonte bashkëpunimin për ta njoftuar me vonë se po e shkëpusin kontratën në mungesë të licencës se lëshuar nga ZRRE, duke e njoftuar se në momentin që “HSE” dëshmon posedimin e licencës të lëshuar ose të njohur nga ZRRE, atëherë KEK mund të iniciojë procesin e nënshkrimit të një kontrate të re.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz