Gjykata gjermane sfidon Merzin: S’ka kthim të azilkërkuesve në kufi pa procedurë të BE-së

Një gjykatë në Berlin ka marrë vendim se kthimi mbrapsht i azilkërkuesve në kufijtë e Gjermanisë është i paligjshëm nëse nuk bëhet përmes procedurës së Bashkimit Evropian të njohur si procedura Dublin, raporton DW.
Ky vendim sfidon drejtpërdrejt politikën e re të qeverisë federale për emigracionin, ndërsa bëhet e ditur se ka ardhur pas një rasti ku tre shtetas somalezë ishin kthyer mbrapsht nga kufiri gjerman për në Poloni, sipas një rregulloreje të re gjermane. Gjykata e Berlinit ka theksuar se ky kthim ishte i paligjshëm, pasi ka shmangur hapat ligjorë të domosdoshëm duke shkelur të drejtat për azil.
Mediat gjermane e konsiderojnë vendimin e gjykatës si një goditje për kancelarin Friedrich Merz, i cili sapo ka marrë detyrën dhe është zotuar të ashpërsojë kontrollin ndaj migracionit të parregullt.
Çfarë thotë ligji evropian?

Lexo edheQeveria e RMV-së ka vendosur të lirojë plotësisht importin e 67 mallrave nga SHBA-ja
Sipas gjykatës, çdo person që shpreh dëshirën për të kërkuar azil në një kontroll kufitar në territorin gjerman, nuk mund të kthehet mbrapsht pa u përcaktuar më parë se cili shtet është përgjegjës për trajtimin e kërkesës, sipas sistemit “Dublin” të BE-së.
Megjithatë, pas marrjes së detyrës muajin e kaluar, qeveria Merz kishte udhëzuar policinë se mund të kthenin emigrantët e parregullt që kapeshin në kufi – edhe nëse ata kërkonin azil në momentin e ndalimit.
Vendimi i Berlinit pritet të ketë pasoja të gjera ligjore dhe politike, ndërsa sfidon përpjekjet për të forcuar kufijtë në një prej çështjeve më të ndjeshme për qeverinë gjermane.














