Gjuajti me armë për të mbrojtur drunjtë

Hajdin Hajdini akuzohet se gjuajti me armë në ajër për të mbrojtur drunjtë e pyllit të tij.
I akuzuari për posedim të armëve, Hajdin Hajdini, nuk u paraqit në gjykatore lidhur me rastin e 21 shtatorit të vitit 2011.
Në bazë të aktakuzës, teksa i akuzuari gjendej në pronësi të tij në lokacionin Bërnicë e Epërme, kishte shtënë me armë në ajër pasi që kishte vërejtur tre persona duke prerë dru.
Sipas aktakuzës, qëllimi i të shtënave me armë i Hajdin Hajdinit më 21 shtator 2011 kishte qenë frikësimi i personave të cilët ishin duke prerë dru në pyllin e tij.
Pas kontrollimit të tij nga ana e policisë, Hajdinit i ishin gjetur edhe 4 fishekë pa lejen valide për mbajtjen e tyre. Këtyre fishekëve nuk u dihet as vendi i prodhimit.

Lexo edheAKR e VV arrijnë marrëveshje që të garojnë me kandidat të përbashkët për kryetar komune në Mitrovicë
Hajdini ngarkohet nga prokuroria për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
Gjyqtarja Shadije Gërguri bëri të ditur se Hajdini e ka pranuar ftesën nga gjykata, por i njëjti nuk ka ardhur dhe nuk e ka arsyetuar mungesën.
Gërguri tregoi se do të lëshohet urdhëresa për sjelljen e tij në seancë.
Seanca është shtyrë për muajin prill. /kallxo.com/














