Me gjoba të larta, Policia tenton t’i ulë aksidentet
Gjoba shumë të larta është duke aplikuar Policia e Kosovës ndaj çdo personi që thyen rregullat në komunikacion. Aplikimi i këtyre gjobave ka filluar nga 1 janari i këtij viti. “Qëllimi ynë për zbatimin e ligjit të ri për trafikun rrugor është krijimi i një sigurie më të madhe në trafik”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha.
“Ne kemi parë se vitin e kaluar janë rritur aksidentet me fatalitet, andaj kemi marrë masa për ta ndryshuar situatën”, ka shtuar ai.
Që nga një janari Policia e Kosovës ka shqiptuar 15,092 gjoba bazuar në rregullat e reja të komunikacionit rrugor, prej tyre 14,230 persona janë dënuar deri në 500 euro.
Lexo edheZëvendëskryeministri thotë se janë të pakuptimta vonesat në krijimin e Ushtrisë
Në gjashtë raste policia ka shqiptuar gjoba deri në 1000 euro, ndërkohë që në 856 raste shkelësit e rregullave të komunikacionit policia i ka dërguar në gjykatë.
Policia thotë se 214 personave i u është ndaluar drejtimi i automjeteve. Mbi 500 ngasës kanë pësuar nga heqja e pikëve pasi ata kishin shkelur rregullat e parapara me ligjin për trafik.














