
Ish-kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, ka dhënë mendimin e tij të sinqertë për largimin e Trent Alexander-Arnold nga “The Reds” drejt Real Madridit.
Gerrard, i cili fitoi tetë trofe madhorë me Liverpoolin, u pyet për vendimin e Trentit për të lënë klubin e tij të fëmijërisë gjatë një interviste me ish-mbrojtësin e Manchester United, Rio Ferdinand.
45-vjeçari ka qenë vetë në një situatë të ngjashme gjatë karrierës së tij, kur Chelsea e Jose Mourinhos e kërkonte pas triumfit të Liverpoolit në Ligën e Kampionëve 2004/05.
Sipas raportimeve të “The Athletic”, Gerrard fillimisht dëshironte transferimin dhe madje kishte rënë dakord për kushtet personale, por më pas ndryshoi mendje, duke qëndruar përfundimisht te Liverpool deri në fund të karrierës, kur u transferua te LA Galaxy.
Në librin e tij të vitit 2013, “Steven Gerrard: My Story”, ish-mesfushori ka zbuluar se për të kishin shfaqur interes edhe Real Madrid, Bayern Munich, Barcelona dhe Inter Milan, por ai pranoi se ideja për t’u larguar nga Liverpool e bënte të ndihej “i sëmurë”.
Sigurisht, Gerrard fitoi vetëm edhe dy trofe pas refuzimit të Chelseat – FA Cup 2006 dhe League Cup 2012 – megjithëse do të kishte pasur më shumë trofe nëse do të ishte larguar. Por për shkak të besnikërisë, ai mbetet një nga figurat më të dashura në historinë e klubit, me tifozët që ende këndojnë emrin e tij.
Sa për Trentin, marrëdhënia e tij aktuale me tifozët e Liverpoolit nuk është më e mira. Disa kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën se si ai u largua, pasi u bashkua me Real Madridin për vetëm 8.4 milionë paund, duke lejuar kontratën e tij të skadonte në “Anfield”.
Por çfarë mendon Gerrard për këtë lëvizje të diskutueshme?
Duke folur në “Rio Ferdinand Presents”, Gerrard tha: “Mendoj se çdo lojtar në botë, kur vijnë Barcelona ose Real Madrid, do të tundohet. Po flas tani pa ‘kapelen’ time të Liverpoolit. Real Madrid më kërkoi mua me [Jose] Mourinhon, dhe edhe mua më tundoi. Nuk mori aq shumë vëmendje sa Chelsea… u mbyll shpejt”.
Ai vazhdoi duke thënë se “e kupton” vendimin e Trentit, duke përmendur suksesin që miku i tij i ngushtë, Jude Bellingham, po shijon në “Santiago Bernabéu”.
“Ndoshta ai dëshiron një sfidë të re,” – sugjeroi Gerrard.
“Ai i ka fituar të gjitha me Liverpoolin, kështu që një pjesë e imja e kupton plotësisht. Por sapo vendos ‘kapelen’ e Liverpoolit, mendoj: ‘Çfarë po bën?’”
Kur u pyet nëse pajtohet me kritikën që ka marrë Trent për largimin, Gerrard u përgjigj shkurt: “E kuptoj”.
Aktualisht, mbrojtësi i djathtë i Real Madridit është i dëmtuar, pasi pësoi një lëndim në kofshë gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Marseille më 16 shtator./GazetaExpress/