Fitorja ndaj Çekisë, top-lajm në mediat botërore

Kosova shënoi sot fitore historike në futboll kundër Çekisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kjo fitore e jashtëzakonshme nuk kishte si të kalonte pa u vërejtur nga mediat ndërkombëtare, në të cilat Kosova është top-lajm, shkruan lajmi.net.
“Kosova fiton ndaj Çekisë me një gol të vonshëm në kualifikimet evropiane”, është titulli që agjencia e famshme e lajmeve “Reuters” i ka vënë fitores së “Dardanëve”.
Aty përmendet suksesi i jashtëzakonshëm i Kosovës dhe fakti se kjo kombëtare u pranua vetëm në vitin 2016 në FIFA dhe UEFA.
“Dailymail”, e ka konsideruar si të jashtëzakonshëm rikthimin e Kosovës në rezultat pas disavantazhit 0-1.
Ky medium shkruan se Kosova do të vijë në Angli si kombëtarja me ecurinë më të gjatë pa humbje në Evropë.

Lexo edheGjynah që s’ka bastore: Veseli e qëllon rezultatin, tha se Kosova fiton 2 me 1
Nuk kishte si mos të cekej fakti që Kosova në këtë ndeshje luajti pa pesë lojtarët kryesorë.
E se Kosova ka gjasa të kualifikohet në Evropianin e 2020-tës, po e thotë mediumi kryesor britanik, “BBC”.
Këta të fundit theksojnë faktin se Kosova është aktualisht lidere e grupit, mirëpo se situata mund të ndryshojë pas ndeshjes Angli – Bullgari.
Kujtojmë, se Kosova sot shënoi fitore tejet të rëndësishme me rezultat 2-1 kundër Çekisë, kundërshtarit kryesor për vendin e dytë në eliminatore.















