Fehmi Hoti në mesin e gjashtë kandidatëve për drejtor të Policisë së Kosovës

Fehmi Hoti, me prejardhje nga fshati Carallukë i Malishevës, është njëri nga gjashtë kandidatët për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, transmeton IndeksOnline.
Hoti, i cili aktualisht ushtron detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ka një karrierë mbi 24-vjeçare në institucionin policor, ku ka mbajtur pozita të ndryshme udhëheqëse.
Ai kishte ushtruar detyrën e drejtorit të Policisë së Kosovës edhe gjatë periudhës gusht 2022 – mars 2023, deri në emërimin e Gazmend Hoxhës në krye të këtij institucioni.
Pas dorëheqjes së Hoxhës, në tetor të vitit 2026, Hoti mori sërish drejtimin e Policisë së Kosovës si ushtrues detyre, ndërsa tani është edhe zyrtarisht në garë për këtë pozitë.
Kush është Fehmi Hoti?
Fehmi Hoti ka lindur më 11 tetor 1970, në fshatin Carallukë të Komunës së Malishevës.
Lexo edheGjashtë banorë në rrezik, publiku vendos kush shpëton në “BBVK5”
Karrierën në Policinë e Kosovës e nisi në vitin 2002, si zyrtar patrullues në Rahovec. Nga viti 2005 deri më 2009 mbajti disa pozita udhëheqëse në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, përfshirë atë të shefit të Hetimeve Rajonale dhe shefit të Operativës Rajonale.
Gjatë periudhës 2009-2019, Hoti shërbeu në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku drejtoi Drejtorinë për Inteligjencë dhe Analizë, si dhe Divizionin për Hetimin e Krimit.
Në vitin 2019 u emërua drejtor i Policisë për Rajonin e Prishtinës, ndërsa nga viti 2021 deri në vitin 2022 ishte zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Hoti ka përfunduar studimet master në shkencat juridike dhe studimet në fushën e politikave të sigurisë. Gjatë karrierës ka ndjekur trajnime profesionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermani, si dhe ka marrë pjesë në aktivitete bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë FBI-në, BKA-në, NCA-në dhe DEA-n.
Tashmë, Hoti synon të marrë mandatin e plotë si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, pozitë të cilën aktualisht e ushtron përkohësisht./IndeksOnline/


