Engel: Qeveria e re të ketë bazë të gjerë, prekja e kufijve e gabuar

Kongresmeni amerikan Eliot Engel paralajmëron kundër idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë i tha Zërit të Amerikës, se shpreson që qeveria e ardhshme e Kosovës të ketë një bazë sa më të gjerë dhe se do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë.
Engel thotë se është skeptik për idenë e ndryshimit të kufijve, pasi nuk do të ndalte me Kosovën.
“Kjo do të shkaktonte një reagim zinxhir që unë mendoj se nuk do të ishte pozitiv. Ne i dimë parametrat për Kosovën. Unë mendoj se ndryshimi i kufijve do të ishte një ide e gabuar. Mendoj se kjo nuk do të ishte një gjë e mençur”, tha ai.
Engel tha se shpreson që qeveria e Kosovës të ketë një bazë sa më të gjerë, në mënyrë që të ketë më shumë njerëz të përfshirë në koalicion për trajtimin e sfidave, pasi vendi përballet me disa probleme.
“Serbia po bën përpjekje të forta për të deligjitimuar Kosovën. Ajo po përpiqet të bindë vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të tërheqin njohjet. Ne po luftojmë kundër këtyre përpjekjeve. Kështu që sa më i bashkuar të jetë vendi aq më mirë do të jetë për vendin”, tha ai.
Kongresmeni nga Nju Jorku, nuk pranoi të komentonte lidhur me Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, pasi tha se nuk komenton për kandidatët për kryeministër në vende të tjera.
“Por më lejoni të them se kam besim se Shtetet e Bashkuara, me nxitjen time si kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, do të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të ngushta me kombin shqiptar, me popullin shqiptar dhe me njerëzit në Kosovë. Dhe sigurisht që unë jam i gatshëm të ndihmoj në çfarëdo mënyre që mundem, kështu që kushdo që zgjidhet, zoti Kurti apo dikush tjetër, unë do të ofroj ndihmën time”, tha ai.

Lexo edhePolicia tregon numrin e të lënduarve nga vetura e rrokullisur në Skenderaj
Duke folur për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ai solli si shembull rastin e vëllezërve Bytyçi, për premtimet që ai ka bërë dhe nuk i ka mbajtur, duke thënë se nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
Engel nuk iu përgjigj direkt një pyetjeje për rolin e të dërguarve të posaçëm për Ballkanin dhe bisedimet Kosovë-Serbi, Matthew Palmer dhe Richard Grenell, por tha se në çdo dialog që ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës, duhet të ketë zë populli i Kosovës.
“Të gjitha këto gjëra të tjera që po përpiqen të bëjnë me Shqipërinë, Serbinë, nëse nuk përfshihet Kosova, nuk do të jetë një vendim i drejtë. Kështuqë mendoj se duhet të merret vendimi i popullit të Kosovës për gjithçka.”
Dhe sipas tij, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin një rol më aktiv.
“Si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, si mbështetës i fortë i Kosovës dhe Shqipërisë unë do të bëj gjithçka që mundem për ta realizuar këtë dhe për çfarëdo të kenë nevojë zyrtarët e zgjedhur të Kosovës dhe Shqipërisë, unë gjithmonë jam i gatshëm të ndihmoj”, shtoi ai.
Engel shprehu gjithashtu shqetësimin për valën e të rinjve që nuk gjejnë punë në Kosovë dhe Shqipëri dhe lënë vendin e tyre.














