Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur sot në qytetin e Istogut, ku tre të rinj janë filmuar duke mbajtur në duar armë dhe duke i drejtuar ato ndaj njëri-tjetrit.
Pamjet ekskluzive, të siguruara nga Indeksonline shihen momente ku tre të rinjtë i drejtojnë armën njeri-tjetrit.
Lidhur me këtë rast është arrestuar një person nga ana e dy zyrtarëve policorë që ishin në detyrë pa uniformë.
Indeksonline mëson se i arrestuari është Bekë Salihaj.
Siç mëson Indeksonline i njejti është i akuzuar edhe për disa vepra tjera penale. Ai ka qenë i përfshirë edhe në rastin e hedhjes së granatave të dorës në “Missini” dhe “Rizza Hair Salon”.
Lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe nga ana e Policisë së Kosovës.
Fadil Gashi zëdhënës për rajonin e Pejes ka thënë për Indekonline, se dy zyrtarë policorë, të cilët ndodheshin në patrullim, kanë vërejtur një veturë të dyshimtë me dy persona brenda. Pas afrimit për kontroll, policët u kanë kërkuar personave të dalin nga automjeti.
“Në atë moment, pasagjeri ka tentuar të largohet dhe ka nxjerrë një armë, duke e drejtuar në drejtim të zyrtarëve policorë.
Policët kanë reaguar menjëherë, duke ndërmarrë veprime për të evituar rrezikun ndaj tyre dhe qytetarëve përreth, dhe me përdorim proporcional të forcës kanë arritur ta neutralizojnë situatën dhe ta arrestojnë personin e armatosur.
Gjatë ndërhyrjes, njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime të lehta, ndërsa i dyshuari dhe personi tjetër që ndodhej në veturë janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor në Istog, ku janë duke u intervistuar nga hetuesit.”, tha Gashi.