“E ka humbur të drejtën për të jetuar”, ish-kirurgu plastik dënohet me vdekje për vrasjen e avokatit

Një ish-kirurg plastik në Florida të SHBA-së është dënuar me vdekje për vrasjen e avokatit Steven Cozzi, i cili u zhduk në mars të vitit 2023 nga ndërtesa ku kishte zyrën.
Vendimi u dha të premten nga gjyqtari Joseph Bulone, pas një procesi gjyqësor të pazakontë, në të cilin i pandehuri vendosi të përfaqësonte veten dhe hoqi dorë nga gjykimi me juri.
Tomasz Kosowski, 47 vjeç, u shpall përgjegjës për vrasjen e avokatit, me të cilin kishte pasur një konflikt të gjatë ligjor. Gjatë seancës së shpalljes së dënimit, gjyqtari deklaroi se mënyra e kryerjes së krimit dhe rrethanat e tij rëndonin në favor të dënimit kapital.
“Gjykata arrin në përfundimin se i pandehuri, sipas ligjeve të shtetit të Floridës, e ka humbur të drejtën për të jetuar. Për rrjedhojë, urdhërohet dhe vendoset që i pandehuri Tomasz Kosowski të dënohet me vdekje për vrasjen e Steven Cozzi”, deklaroi gjyqtari Joseph Bulone.
Rasti u konsiderua i pazakontë, pasi Kosowski vendosi të përfaqësonte veten gjatë procesit gjyqësor dhe refuzoi të zhvillohej një gjykim me juri. Kështu, ishte gjyqtari i qarkut Pinellas në Florida ai që duhej të vendoste për fajësinë dhe dënimin e tij.
Ish-kirurgu plastik kishte larguar avokatët e caktuar nga gjykata vetëm disa javë përpara nisjes së gjyqit. Gjatë procesit, i cili zgjati gjashtë ditë në muajin shtator, prokuroria paraqiti provat që, sipas saj, vërtetonin se Kosowski kishte planifikuar dhe ekzekutuar vrasjen e avokatit.
Ai nuk paraqiti prova në mbrojtje të vetes, por në fjalën përfundimtare iu drejtua drejtpërdrejt gjyqtarit, duke pretenduar se prokuroria nuk kishte provuar elementet ligjore të vrasjes së shkallës së parë. Për rreth 20 minuta, me zë të ulët, Kosowski vuri në dyshim mungesën e trupit të viktimës dhe të certifikatës së vdekjes së tij.
Edhe gjatë fazës së përcaktimit të dënimit, ai refuzoi të paraqiste rrethana lehtësuese apo materiale që mund të ndikonin në shmangien e dënimit me vdekje. Për këtë arsye, gjykata caktoi një avokat të posaçëm të pavarur, i cili paraqiti argumente në favor të një dënimi me burgim të përjetshëm.
Avokati foli për fëmijërinë e Kosowskit si emigrant polak, i cili ishte shpërngulur me prindërit në Kansas, si dhe për arsimimin e tij në një universitet prestigjioz të Ivy League. Ai argumentoi se aftësitë e ish-mjekut mund të ishin të dobishme edhe për të burgosurit e tjerë gjatë vuajtjes së dënimit.
Megjithatë, gjyqtari Bulone vlerësoi se rrethanat lehtësuese nuk mund të kapërcenin mënyrën e planifikuar dhe të ftohtë të kryerjes së vrasjes.
“Gjykata i ka dhënë peshë të madhe rrethanës rënduese se vrasja u krye në mënyrë të ftohtë, të llogaritur dhe të paramenduar, pa asnjë justifikim moral apo ligjor”, deklaroi gjyqtari gjatë shpalljes së vendimit.
Sipas prokurorisë, konflikti mes Kosowskit dhe avokatit Steven Cozzi kishte nisur prej vitesh. Në vitin 2019, ish-kirurgu plastik kishte ngritur një padi ndaj ish-kolegëve të tij për një mosmarrëveshje financiare lidhur me faturimin e shërbimeve. Në vitin 2022, ai kishte vendosur të përfaqësonte veten në këtë proces, duke u përballur drejtpërdrejt me avokatët e palës tjetër, mes të cilëve ishte edhe Cozzi.
Me kalimin e kohës, sipas prokurorëve, Kosowski kishte shfaqur armiqësi ndaj avokatit. Provat e paraqitura në gjyq treguan se ai kishte kërkuar informacione për Cozzin në internet, kishte shkuar në banesën e tij dhe kishte vëzhguar disa herë zyrat e studios ligjore në muajt përpara vrasjes.

Lexo edheBE dhe Britania e Madhe synojnë forcimin e partneritetit strategjik, Costa: Investim për sigurinë dhe prosperitetin e Evropës
Gjatë fjalës përfundimtare, ndihmësprokurori Nathan Vonderheide e përshkroi marrëdhënien e tij me avokatin me një fjalë:
“Obsesion”.
Më 21 mars 2023, Cozzi shkoi në tualetin që ndodhej në korridorin pranë zyrës së tij. Ai la hapur një draft email-i dhe muzikën që po luante nga telefoni. Por nuk u kthye më në tavolinën e punës.
Sipas akuzës, Kosowski e kishte pritur avokatin në tualet, e kishte vrarë dhe më pas kishte nxjerrë trupin nga ndërtesa duke përdorur një karrocë. Pamjet e kamerave të sigurisë treguan një person që hynte në ndërtesë dhe, disa orë më vonë, largohej me rroba të ndryshme, duke tërhequr një karrocë drejt parkingut.
Sipas prokurorisë, vetëm pak minuta pasi kishte nxjerrë trupin e avokatit nga ndërtesa, Kosowski u bashkua në një seancë gjyqësore virtuale, të planifikuar për orën 10:30, lidhur me çështjen që kishte me Cozzin.
Ai kishte kërkuar sanksione ndaj avokatit dhe largimin e tij nga procesi, por Cozzi nuk ishte i pranishëm në seancë. Kjo bëri që kolegët e tij të nisnin kërkimet dhe të raportonin zhdukjen e tij.
Provat e paraqitura në gjyq treguan se, pas një ndalese në banesën e tij pranë ujit, Kosowski kishte transportuar trupin në një kazan mbeturinash në një rrugë të izoluar, rreth katër orë larg.
Më pas, ai kishte udhëtuar drejt Majamit, ku të nesërmen kishte kryer ndërhyrje kirurgjikale të planifikuara më parë. Hetuesit nuk arritën të gjenin trupin apo prova të tjera në vendin ku ishte hedhur, pasi përmbajtja e kazanit ishte transportuar tashmë në një landfill.
Bashkëshorti dhe kolegët e Cozzit u thanë autoriteteve se Kosowski ishte personi i vetëm i njohur që kishte pasur konflikte me avokatin, duke e bërë atë një nga të dyshuarit kryesorë për zhdukjen.
Kosowski u arrestua katër ditë pas vrasjes. Në automjetin e tij, prokurorët thanë se u gjetën rreth 300 mijë dollarë në para të gatshme, dy pasaporta dhe një çantë që u cilësua si “çantë vrasjeje”. Gjatë gjyqit u shfaqën edhe pamjet e arrestimit, ku ish-kirurgu shihej në pjesën e pasme të një makine policie, duke tentuar të lironte duart nga prangat.
Në pamje ai shihej duke kaluar duart nga pas trupit, poshtë këmbëve dhe më pas në prehër. Gjithashtu, në trupin e tij u konstatuan disa mavijosje dhe gërvishtje. Provat e ADN-së konfirmuan se gjaku i Steven Cozzit ishte gjetur në pjesën e pasme të kamionçinës së Kosowskit, si dhe në një jelek antiplumb që ndodhej në bagazhin e automjetit të tij të dytë.
Në fillim të seancës së shpalljes së dënimit, Kosowski paraqiti një kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit. Bulone ndërpreu për pak minuta seancën për ta shqyrtuar kërkesën, por u rikthye në sallë pa iu përgjigjur asaj dhe më pas shpalli vendimin me vdekje.




