Klubi kosovar Drita tashmë ka mësuar kundërshtarin e saj në raundin e tretë të kualifikimeve për UEFA Europa League.
Gjilanasit do të përballen me FCSB (Steaua Bukureshtit), një nga klubet më të mëdha dhe me histori të pasur në futbollin rumun dhe evropian, transmeton lajmi.net
FCSB vjen në këtë fazë pas eliminimit nga Shkëndija e Tetovës në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve.
Skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut siguroi kalimin tutje me rezultat të përgjithshëm 3:1 – pasi fitoi 1:0 në ndeshjen e parë dhe triumfoi 2:1 në Bukuresht, me gola të Liridon Latifit dhe Vane Krstevskit.
Kjo disfatë i përjashtoi rumunët nga gara për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe i zbriti në Europa League, ku do të kërkojnë rikthimin.
Për Dritën, kjo është një sfidë mjaft serioze, por edhe një mundësi historike për të shënuar emrin në skenën ndërkombëtare, përballë një skuadre që ka përvojë të gjatë në garat evropiane.
Ndeshja e parë do të luhet në Kosovë, ndërsa e kthimit në Rumani. Drita pritet të përgatitet maksimalisht për të përballuar këtë sfidë të madhe dhe për të përfaqësuar denjësisht futbollin kosovar në Europë./lajmi.net/