Vendimi për largimin nga pronat komunale ka prekur edhe gruan e dëshmorit Mehmet Saliuku nga Gradica, Minire Saliuku, shkruan DrenicaPress.
Drenica Press ka siguruar edhe dokumentin në të cilin kërkohet që zonja Saliuku, më 22.07.2019 ditën e hënë të liroj banesën ku banon tash e një kohë të gjatë.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish i burguosuri politik, Enver Dugolli.
Ai ka bërë thirrje Komunes së Drenasit, Kryetarit Lladrovci dhe të gjitha institucioneve vendimmarrëse në Drenas, që të tërheqin Urdhëresen për dëbim nga banesa të znj.Minire Saliuku, grua e dëshmorit Mehmet Saliuku nga Gradica.
Lexojeni të plotë reagimin e Enver Dugollit:
Thirrje për Komunen e Drenasit!
I bëjë thirrje Komunes së Drenasit, Kryetarit Lladrovci dhe të gjitha institucioneve vendimmarrëse në Drenas, që të tërheqin Urdhëresen për dëbim nga banesa të znj.Minire Saliuku, grua e dëshmorit Mehmet Saliuku nga Gradica.
Edhe për kundër faktit se Komisioni i Komunës i ngritur për këtë çështje paska ardhur në përfundim se kjo banesë qenka e uzurpuar, në këtë rast Komuna para se të marr një vendim të tillë, duhet të kujdeset që zonjës Minire, e cila jeton me fëmijët jetim, të kujdeset që t’i siguron një strehë mbi kokë kësaj familje. Shoqëria dhe shteti duhet të ndërgjegjësohet dhe të mos lejon ekzekutimin e kësaj urdhërese sepse me këtë rast përveç se është anti humane nxjerrja në rrugë e një familje pa strehë mbi kokë, është edhe përbuzje sakrificës dhe dinjitetit të familjeve të dëshmorëve.
Familjet e dëshmorëve meritojnë trajtim dinjitoz e jo përbuzje!