Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) dhe Lule Isufi kanë dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë që ka të bëjë me emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP).
Sipas padisë, vendimi i Qeverisë është i kundërligjshëm dhe antikushtetues, duke përfshirë një sërë shkeljesh procedurale dhe materiale që cenojnë të drejtat e palës paditëse. Ndërkohë, është kërkuar edhe pezullimi urgjent i zbatimit të këtij vendimi, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata, transmeton lajmi.net./
Shkelje të shumta ligjore
Sipas CSL-së, njëra nga shkeljet më serioze të evidentuara është fakti se vendimi është miratuar nga kryeministri dhe ministra që njëkohësisht mbajnë pozitën e deputetëve, duke krijuar një përplasje të drejtpërdrejtë me parimin e ndarjes së pushteteve. Ky problem, sipas tyre, është tashmë i konstatuar edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës në aktgjykimin P.A.nr.09/2025, të datës 7 korrik 2025.
Padia përmend gjithashtu se:
-
Vendimi nuk përmban arsyetim se pse është përzgjedhur kandidati i emëruar, përballë tre kandidatëve të tjerë që kishin kaluar fazat e vlerësimit.
-
Dokumenti nuk ka elementet e një akti administrativ të rregullt, pasi mungon arsyetimi dhe këshilla juridike, që janë të detyrueshme sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
-
Procesi i emërimit ka shkelur parimet e meritokracisë dhe përfaqësimit gjinor të drejtë, duke mos respektuar kriteret e Ligjit për Barazi Gjinore dhe Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Kërkohet anulim dhe precedent gjyqësor
CSL kërkon që Gjykata të anulojë vendimin e Qeverisë, duke i cilësuar shkeljet si rrezik për integritetin institucional dhe për besimin në sistemin e administratës publike.
“Për shkak të nivelit të lartë të pasojave që mund të shkaktojë për interesin publik, kemi propozuar edhe pezullimin e zbatimit të këtij vendimi të kontestuar nga Qeveria në detyrë”, thuhet në komunikatën e Qendrës.
CSL shton se ky rast duhet të shërbejë si praktikë ndëshkuese ndaj veprimeve të paligjshme të institucioneve, duke forcuar standardin e vendimmarrjes ligjore në shërbim të interesit publik./lajmi.net/