back to top
Wednesday, January 28, 2026
BallinaKulturëDoli numri i ri i revistës letrare Jeta e Re

Doli numri i ri i revistës letrare Jeta e Re

Të ngjajshme

Ka dalë numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”, i dyti me radhë për këtë vit.

Edhe ky numër sjell një sërë emrash të njohur nga fusha e kritikës, e teorisë dhe e letërsisë botërore, si dhe asaj shqiptare.

Proza fillon me një numër autorësh të huaj. Kështu, Danilo Kish vjen me tregimin ‘Apatridi’, inspiruar nga jeta e Eden fon Horvatit, jetë që përfundoi në një mënyrë mizore në fushat e Jelisesë, në prag të Luftës së Dytë botërore. Julian Barnes, shkrimtar anglez me famë, vjen me tregimin ‘Bashkëfajësia’, për të vazhduar me pesë tregime të shkurtra të autores Agata Kristof dhe me tregimin ‘Një njeri fatkeq’ të Alberto Moravia-s. Nga autorët tanë me nga një tregim janë prezantuar Adem Gashi, Bajram Sefaj, Belfjore Qose, Meliza Krasniqi dhe Lulzim Mjeku”, thuhet në njoftim.

Rubrikës së poezisë i prin një cikël poetik i shkrimtarit dhe poetit të njohur, H.L. Borhesit, për të vazhduar me Braha Rosendford-in, Elizabeth Acavedo-n, Mario Luzi-n, Mirash Martinoviq-in, Ahmet Selmanin dhe Enerestina Halilin.

Ndërkaq, në rubrikën e rregullt “Dossier” në këtë numër vjen shkrimtarja dhe botuesja e njohur amerikano-franceze, Jonnie Dorny, e cila në qershor të këtij viti ishte në Panairin e Librit në Prishtinë, ku dhe u nderua me çmimin e Shkrimtares më të mirë të huaj, siç është nderuar gjithashtu edhe në Irlandë të Veriut, Varshavë, SHBA dhe gjer në panairin madhështor të Frankfurtit, sqaron njoftimi.
“Ajo është prezantuar me një intervistë me titullin ‘Kosova, ky vend poetësh’, me disa fragmente nga romani ‘Kupidët kokëkrisur’, me ‘Poemë për Kosovën’, esenë ‘T’i nxjerrësh sytë vetvetes’ dhe me një vështrim vlerësues për romanin ‘Kupidët kokëkrisur’”.

Kritika fillon me tekstin e M.V. Llosa-s “Metamorfoza e një Fjale”, marrë nga libri “Notes on the Death of Culture” (Shënim mbi vdekjen e Kulturës), për të vazhduar me “Universalizmi i Shekspirit”, të Harold Bloom-it, pastaj me një ese interesante dhe të veçantë për Servantesin me titullin “Një qasje e re” të autorit Victor Aguiles Jimenez. Patricia Vaugh, kritike dhe specialiste e modernizmit dhe e postmodernizmit, vjen me tekstin teorik “Metafiksioni”dhe Siegfried Karacauver me “Konceptet elementare të filmit”.

“Nga autorët tanë, Gëzim Aliu prezantohet me ‘Elementet letrare të Autobiografisë së Nolit’, Anila Mullahi me ‘Romani epope ‘Kënga shqiptare’ i Tërbeshimës dhe romani klasik evropian’, Lirak Karjagdiu me ‘Një dashuri nën hijen e luftës’, vështrim për romanin ‘Lamtumirë armë’ të Heminguejit, kurse shkrimtari dhe studiuesi i njohur italian Gianni Mazzei me ‘Vepër e një bukurie kulmore’, vështrim vlerësues për romanin e Anton N. Berishës ‘Gjin Bardhela i arbresh-Etja e gurëzua’. Poeti Arif Kutlleshi vjen me esenë ‘Fjala-Robëreshë, Princeshë e Mbretëreshë’ dhe Sulejman Dërmaku me ‘Një roman për jetën e luftën’, vështrim për romanin ‘Karabina e gjyshit’ të Gazmend Bytyçit”.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Erion Karabolli, Sazan Kryeziu, Sulejman Dërmaku, Arben Idrizi, Alket Cani, Anton N. Berisha, Alfred Beka, Rexhep Maloku, Edita Kuçi-Ukaj, Rrona Jaka, Arsim Canolli dhe Besim Kokollari.

Të Fundit

Sport

ShowBiz