Atalanta ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Coppa Italia, pasi ka mposhtur bindshëm Juventusin me rezultat 3-0 në çerekfinale.
Skuadra bergamaske e hapi rezultatin në minutën e 27-të, kur Gianluca Scamacca realizoi saktë nga pika e bardhë. Dominimi i Atalantës u konkretizua edhe në pjesën e dytë, me Kamaldeen Sulemana që shënoi në minutën e 77-të, ndërsa Mario Pašalić vulosi fitoren në minutën e 85-të.
Qendërmbrojtësi shqiptar Berat Djimsiti ishte titullar dhe zhvilloi 90 minuta të plota, duke qenë pjesë e një mbrojtjeje solide që neutralizoi plotësisht sulmin bardhezi.
Në anën tjetër, për Juventusin, reprezentuesi i Kosovës Edon Zhegrova u inkuadrua në lojë në minutën e 80-të, por nuk arriti të lërë gjurmë në këtë takim.
Me këtë fitore, Atalanta vazhdon rrugëtimin në Coppa Italia, ndërsa Juventusi eliminohet në mënyrë zhgënjyese nga gara. /GazetaExpress