Dita që ia ndryshoi jetën Florim Shehut, azilantit kosovar që u bë hero në Francë

Florim Shehu sigurisht që nuk do ta harrojë kurrë ditën e 9 qershorit. Atë ditë, 33-vjeçari nga Kosova që jeton në Francë, shpëtoi gjashtë njerëz që kishin mbetur të ngujuar nga vërshimet në Komunën e Change-s, në rrethin e Mayenne.
E pothuajse katër muaj më vonë, më 8 shtator, 33-vjeçarit Shehu i ka ardhur një lajm i rëndësishëm. Atij i ka ardhur leja e qëndrimit nga autoritetet franceze, e cila do të jetë e vlefshme për një vitm raporton Insajderi.
Në një prononcim për mediet franceze, Shehu është shprehur shumë i lumtur për këtë vendim të autoriteteve franceze. “Tashmë, unë jam i lirë për gjithçka. Për punë, për udhëtim, për trajnime”, thotë ai, raporton mediumi francez Ouest-France.
Po ashtu, përveç se i erdhi lajmi i leje qëndrimit për veten dhe familjen e tij, Florim Shehut i erdhi edhe një veturë e re, të cilën ia dorëzoi Komuna e Changes. Komuna kishte hapur një fond për t’ia blerë një veturë 33-vjeçarit kosovar. Kjo pasi, në ditën kur ai kishte shpëtuar gjashtë fqinj të tij nga vërshimet, vetura e tij ishte vërshuar dhe ishte shkatërruar.
Lexo edheShqiptarët habisin Botën/ Tre vëllezër në 3 kombëtare të ndryshme. Ja kush janë fenomenët
“Jam një njeri i lumtur. Unë dhe familja ime jemi shumë mirë të integruar në Change”, thotë Shehu.
Florim Shehu kishte aplikuar për azil në dhjetor të vitit 2017 në Bashkinë e Mayenne-s në Francë. Ai jeton në Change së bashku me gruan dhe dy vajzat e tij.
Insajderi kishte raportuar për heroizmin e Shehut në muajin qershor, atëherë kur kishte ndodhur edhe ngjarja.














