Dëshmia e ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, sot në Hagë, së bashku me dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes që pritet të dëgjohen në ditët në vijim po vlerësohen si kredibile. Këto dëshmi konsiderohen të jenë të fuqishme dhe pritet që të sfidojnë seriozisht akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot ka nis dëgjimi i James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit. Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Rubin para trupit gjykues tregoi se gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, ishte takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”.
Gjatë dëshmisë së tij, ish-ndihmës-sekretari amerikan, James Rubin tha se Thaçi kishte një rol politik në UÇK, por jo një rol udhëheqës dhe se “nuk diktonte rregulla dhe kushte”.
Këto deklarata të dhëna sot nga zyrtari amerikan dhe të tjerat që priten të dëgjohen në vijim e që janë në mbrojtje të Thaçit, monitoruesja e procesit gjyqësor në Hagë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Blendina Veliqi konsideron se janë të rëndësishme dhe ndihmojnë trupin gjykues t’i kuptoj më mirë rrethanat dhe rolin e katërshes të UÇK-së që po akuzohen nga Gjykata Speciale.
Sipas saj, deklaratat e Rubin sot dëshmuan se UÇK nuk kishte strukturë të rregullt gjatë periudhës së luftës ashtu siç thuhet në aktakuzë.
“Dëshmitë e tyre vlerësohet se janë të rëndësishme për shkak se shpalosin rrethana që kanë ndodhur gjatë periudhës së aktakuzës, dhe mund ta ndihmojnë trupin gjykues t’i kuptojnë më mirë ato rrethana dhe ta kuptojnë saktësisht rolin që kanë pas të akuzuarit gjatë as kohe. Duke u nisur prej faktit që personalitetet e larta të diplomacisë amerikane tregon se SHBA kanë një mbështetje të madhe për zbardhjen e të vërtetës në këtë proces gjyqësor. Gjithçka deklarata e sotme e Rubin tregon dhe dëshmon rrethanat mjaftë të rëndësishme dhe të pamohueshme se UÇK ishte një ushtri e popullit të Kosovës për çlirim dhe se shtabi i përgjithshëm nuk kishte njohuri se çfarë ka mund të ndodh në terren dhe se UÇK nuk kishte strukturë të rregullt gjatë kohës së luftës dhe periudhën e aktakuzës”, theksoi ajo.
Edhe avokati i akredituar nga Prokuroria Speciale në Hagë, Skënder Musa thekson se dëshmitarët e mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi janë më të besueshëm se sa ata të ZPS që janë dëgjuar në këtë proces gjyqësor.
Sipas tij, dëshmitë e tyre do t’i rrëzojnë akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Këta janë dëshmitarë më kredibil që dëgjohen pranë gjykatës dhe dëshmia e tyre do të rrëzojë dëshmitë e Prokurorit të Prokurorisë Speciale pranë Dhomave të Specializuara për shkak se këta janë njohës shumë të mirë të rrethanave të luftës në Kosovë, janë njohës shumë të mirë të funksioneve që ka pas Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi”, theksoi ai.
Ish-ndihmës-sekretari amerik, James Rubin i cili po dëshmon sot në gjykatën e Hagës në mbrojtje të ish-presidentit, Hashim Thaçi është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E monitorimi nga përfaqësueset amerikane po konsiderohen si veprim në rregull pasi dëshmitari në fjalë është me autorizim në atë që thotë.
“Këta janë dëshmitarë sipas rregullës 107 dhe për ta duhet të konfirmohet autorizim i informacionit e që në këtë rast James Rubin është i autorizuar i informacionit është Departamenti Amerikan i Shtetit dhe kërkohen informacione dhe ato informacione që autorizohen…zyrtarët janë për monitorimin e dhënësit të informacionit që në këtë rast dhënësi i informacionit është James Rubin që është autorizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit”, deklaroi ai.
Edhe avokati i akredituar nga Specialja, Skënder Musa tha se shoqërimi i James Rubin nga dy përfaqësues të shtetit amerikan, është me qëllim që ai të mos japë përgjigje për çështje sekrete që kanë të bëjnë me atë periudhë kohore dhe që lidhen me sigurinë e SHBA-ve.
Sipas tij, kjo ndalesë bazohet në legjislacionin amerikan, por edhe në atë të disa shteteve evropiane.
“Personi që sot dëshmon është person i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dy përfaqësuesit e shtetit amerikan që marrin pjesë, janë me qëllim që të mos përgjigjet në çështjet sekrete që kanë qenë në atë periudhë kohore që lidhet me sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo për arsye me legjislacion të SHBA-ve, por edhe vendeve tjera të Evropës në çështjet ku mundet me të diskutohen edhe çështjet sekrete mes UÇK-së dhe ushtrisë amerikane dhe qeverisë amerikane ata e kanë të ndaluar”, u shpreh ai.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.
Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.