Deputeti i VV’së Vigan Qorrolli, ka bërë thirrje ndaj opozitës që të bashkëpunojë për zgjedhjen e një presidenti konsensual, jashtë radhëve partiake.
Ai ka theksuar se presidenti duhet të jetë figurë unifikuese, mbi interesat politike dhe përplasjet partiake, duke propozuar gjetjen e një personaliteti me integritet të lartë moral dhe institucional.
“Presidenti është figura që duhet të qëndrojë mbi grindjen, mbi interesin e ngushtë, mbi instinktin e bllokadës dhe mbi etjen për revansh. Prandaj, sot thirrja ime për opozitën është e qartë: le ta kërkojmë bashkë një emër nga bota jopolitike; një personalitet që nuk është anëtar i partive ekzistuese; një figurë me integritet publik, me maturi institucionale dhe me peshë morale; një njeri që nuk i përket askujt, sepse duhet t’i përkasë Republikës. Presidenti duhet të jetë garanci e rendit kushtetues, simbol i unitetit qytetar dhe dëshmi se Kosova di të prodhojë konsensus kur interesi shtetëror e kërkon këtë”, ka shkruar Qorolli.
Qorrolli ka thënë se Kosova ka shumë figura të denja jashtë politikës dhe se zgjedhja e një presidenti të tillë do të dëshmonte pjekuri shtetërore dhe konsensus politik në interes të Republikës.
“Ta gjejmë një emër të tillë. Ta zgjedhim bashkë. Ta dëshmojmë se kur është në pyetje shteti, mund të ketë dallime politike, por nuk duhet të ketë verbëri institucionale. Opozita ka të drejtë të kundërshtojë Qeverinë. Ka të drejtë të kritikojë shumicën. Ka të drejtë të propozojë, të refuzojë, të negociojë. Por nuk ka të drejtë ta bëjë Republikën peng të pakënaqësisë së vet. Nuk bëhet fjalë për nënshtrim politik. Kërkohet lartësi shtetërore. Le ta zgjedhim një President jashtë partive, mbi palët, në shërbim të Kushtetutës dhe qytetarëve”, ka shtuar Qorolli. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: