Në mungesë të funksionimit të rregullt të Kuvendit të Kosovës dhe në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri më 8 gusht, deputetë nga partitë parlamentare u përfshinë në një debat publik me temën “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”. Takimi u organizua nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në Prishtinë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, tha se kompromisi duhet të jetë pjesë e natyrshme e jetës politike dhe se sistemi duhet të funksionojë në mënyrë të plotë.
“Sistemi duhet të jetë totalisht funksional. Dhe palët duhet t’i konformohen sistemit. Sepse situata mund të ndryshojë, edhe votat mund të ndryshojnë. Kompromisi duhet të jetë i vetëkuptueshëm në politikë, por kjo kërkon kulturë në politikë. Unë nuk jam që gjykata të na e trasmetojë neve një të drejtë që të merremi vesh,” tha Kraki.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, theksoi se përzgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet me shumicën e votave, pavarësisht se e drejta i takon subjektit të parë. Ajo e cilësoi situatën aktuale si një grusht-shtet të mirëfilltë.
“Faleminderit për mundësinë e fjalës, sepse na është mohuar tash e sa muaj në Kuvendin e Kosovës. Më lejoni të shpreh mospajtimin tim me disa gjëra që u thanë. Shteti nuk është në pauzë. Çka po shohim është që është grusht shtet. Sot derisa po diskutojmë këtu, përkundër vendimit të Gjykatës Supreme, qeveria ka uzurpuar zyrat. Dhe nuk e them këtë fjalë me lehtësi.”
Ajo shtoi se konsensusi ka qenë karakteristikë e historisë politike të Kosovës dhe akuzoi Vetëvendosjen për rrënimin e kësaj tradite.
“Për mua Kuvendi është vend ku kemi shpallur pavarësinë, kemi ndërtuar institucione dhe kryesisht z. Kraki me konsensus. Çka e ka definuar Kosovën ka qenë pikërisht ideja e konsensusit. Që nga Rambujeja e tutje të gjitha vendimet e mëdha janë miratuar si rezultat i pjekurisë politike. Në Kosovë ideja e konsensusit është rrënuar pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Pra, ideja e konsensusit në Kosovë ka ekzistuar, është praktikuar dhe është rrënuar. Nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndonëse privilegji i takon subjektit të parë zgjedhjen e kryeparlamentarit, përzgjedhja bëhet me shumicën e votave të kuvendit të Republikës.”
Ajo gjithashtu ngriti shqetësimin për dëmet ekonomike që po shkakton ngërçi institucional:
“U fol edhe për efektet e shumta që prodhon moskonstituimi i institucioneve. Tash kemi humbur dhjetëra miliona euro për shkak të paparashikueshmërisë politike. Parashikueshmëria është kusht për zhvillim. Secili prej nesh e njeh nga një ndërrmarrës të vogël për shkak të papërballueshmërisë së cmimit të energjisë elektrike.”
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kritikoi situatën aktuale duke e cilësuar si “vetëgrusht-shtet” dhe fajësoi partinë në pushtet për mungesë vullneti për zgjidhje.
“Nuk është që nuk hezitova, sepse nuk është se kemi çfarë të themi më ndryshe nga ajo që kemi thënë deri më tani. Nuk mendoj që është vetëm grushtshtet, por është vetëgrushtshtet. Partia në pushtet po dëshiron të jetë vetë në detyrë nga rezultatet që i ka marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit,” tha Bajrami.
Tryeza e diskutimit vazhdon me pjesëmarrje të deputetëve të partive të ndryshme dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.