Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka lënë të hapur mundësinë që Bukayo Saka dhe Martin Odegaard të jenë të gatshëm për supersfidën e sotme ndaj Manchester Cityt në “Emirates Stadium”.
Saka ka munguar në dy ndeshjet e fundit pas dëmtimit të pësuar gjatë fitores ndaj Leeds, ndërsa Odegaard u dëmtua fundjavën e kaluar në triumfin 3-0 kundër Nottingham Forest.
Gjatë konferencës për shtyp të premten, Arteta u shpreh: “Nëse ka një shans (që ata të luajnë), do të jetë pas seancës së nesërme, sepse nuk kemi bërë asgjë ende, kështu që do të kemi më shumë informacion nesër”.
Përballja Arsenal – Manchester City luhet sot, në orën 17:30, dhe pritet të jetë një nga ndeshjet më vendimtare të sezonit në garën për titullin e Premier Ligës.
Trajneri i Arsenalit ka lavdëruar edhe Pep Guardiolan para ndeshjes së madhe të sotme, që luhet në “Emirates”. Dy skuadrat rivale për titull do të përballen për herë të parë që nga fitorja 5-1 e Arsenalit sezonin e kaluar.
“Kërkesat që i vendos vetes, standardet e larta dhe dëshira për të fituar… Pep gjithmonë nxjerr më të mirën. Është pa dyshim trajneri më i mirë në botë, këtë e kam thënë gjithmonë”, pranoi Arteta, i cili ka qenë para disa vitesh edhe asistent i kolegut të tij aktual te City.