As këtë javë nuk do të ketë seancë të Kuvendit të Kosovës, pasi u shty për javën e ardhshme për shkak të seancës gjyqësore që do të mbahet ndaj liderit të AAK-së Ramush Haradinaj në Colmar të Francës.
Por, as në seancën që është caktuar më 11 prill nuk do të jetë për shqyrtim projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi.Organi më i lartë ligjvënës po e pret Qeverinë që ta riprocedojë këtë projektligj, por zyrtarë të dy partive në koalicion pranojnë se mos procedimi po ndodh për shkak të problemeve me numrat.Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti tha pas mbledhjes së Kryesisë se kurdo që vjen projektligji për marrëveshjen për Demarkacionin ata do ta shqyrtojnë. Sipas tij, ekzekutivi nuk po e riprocedon për shkak të problemeve politike, por edhe të numrave.
Haliti nuk tregoi nëse do të votojë për apo kundër demarkacionit, por tha se do t’i përkrah interesat e Kosovës.
Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri tha se nuk e dijë se kur do ta riprocedojë Qeveria në Kuvend projektligjin për Demarkacionin, derisa e pranoi se kanë probleme me votat.
Partitë opozitare tashmë e kanë të qartë qëndrimin e tyre rreth Demarkacionit. Thonë se nuk do ta ndryshojnë qëndrimin kundër. Madje, vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje meqë kjo Qeveri nuk po funksionon dhe se po dështon kryerja e temave të mëdha.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-s Pal Lekaj ripërsëriti se ky koalicion sa më parë të shkojë në shtëpi është aq më mirë për qytetarët.
Ai tha se në një vizitë në Bundestagun gjerman kanë marr kritika se kjo Qeveri nuk po punon, porse kritika kanë marr edhe ata si opozitë. Sipas Lekajt, opozita ka marrë kritika për shkak të veprimeve që i ka bërë kundër Demarkacionit dhe Asociacionit.Lekaj po ashtu ka thënë se do ta kundërshtojnë edhe formimin e Asociacionit, meqë nuk guxojnë të lejojnë të ndajnë Kosovën sikurse është bërë në Bosnje.
Ndërsa, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu tha kurdo që projektligji për Demarkacionin vjen në Kuvend qëndrimet dhe veprimet e VV-s do të jenë të njëjta.Deputetja Haxhiu paraqiti shqetësimin se Kuvendi është bërë jo funksional pasi disa seanca janë duke dështuar për shkak të kuorumit. Ajo ka ripërsëritur se qëndrimi i partisë së saj është i qartë se nuk duhet të ketë ‘Zajednicë’ në Kosovë dhe do të jenë veprimet e njëjtat po që se tentohet të ndodh një gjë e tillë.
Por, shefi i deputetëve të LDK-së Ismet Beqiri, thotë se nuk është arsyeja, dështimi i disa seancave për të shkuar në zgjedhje.Beqiri tha se pa të drejtë iu është imponuar Demarkacioni si kusht për vizat, porse tashmë është e pamundshme të ndryshohet një gjë e tillë, meqë nuk është kusht që ia kanë vu vetes.
Beqiri tha se nuk e kanë pritur asnjëri prej tyre me ekzaltim çështjen e Asociacionit dhe se Gjykata Kushtetuese ka dhënë vërejtje, por se nuk ka thënë se nuk duhet formuar Asociacioni. Seanca me pikat e mbetura nga seanca kaluar do të mbahet me 11 prill.