Dardanët stërviten me përkushtim, Krasniqi e Haxha të lumtur që janë pjesë e Kombëtares

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot me seancën e radhës stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor, kundër Armenisë dhe Komoreve.
Në seancën e sotme kanë munguar mbrojtësi Ismajl Beka dhe portierit Amir Saipi. Beka ka pësuar një lëndim të lehtë në seancën e parë stërvitore, prandaj sot ka punuar individualisht me rekomandimin e stafit mjekësor të ekipit kombëtar, ndërsa portieri Amir Saipi nuk ka stërvitur për shkaqe shëndetësore.
Përzgjedhësi Franco Foda dhe stafi i tij kanë punuar me ekipin në filozofinë e lojës që synohet në këto dy miqësore. Ndërkohë, për vizitë te Kombëtarja ka qëndruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili u ka dëshiruar mirëseardhje prurjeve të reja dhe i ka inkurajuar të gjithë futbollistët të japin më të mirën në këto dy ndeshje.
E prurjet e reja te Kombëtarja e Kosovës, mesfushorët Bledian Krasniqi dhe Florian Haxha, pas stërvitjes u shprehën të lumtur për ftesën e parë nga Kosova dhe tejet të motivuar për ndeshjet e radhës:
“Në ekip më kanë pritur shumë mirë dhe jam krenar që jam i përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën. Stërvitja ka qenë shumë e mirë dhe besoj se në këto dy ndeshje do të paraqitemi mirë dhe do të kemi rezultate pozitive”, tha Krasniqi.

Lexo edhe“Turistët” vjedhin Macronin prej dylli, protestë kundër politikës ndaj Rusisë
Ndërkaq, Haxha u shpreh: “Fillimisht, jam shumë i lumtur për ftesën nga Kombëtarja e Kosovës. Tashmë kemi përfunduar stërvitjen e dytë, e cila ishte shumë intensive dhe besoj se nga nesër do të fillojmë përgatitjet për ndeshjen kundër Armenisë. Si për mua, ashtu edhe për ekipin, është shumë e rëndësishme që t’i marrim seriozisht këto ndeshje dhe të fitojmë, sepse janë përgatitje për kualifikimet e Botërorit”.
Kosova do të përballet me Armeninë më 6 qershor dhe me Komoret më 9 qershor. Të dyja këto ndeshje do të fillojnë në orën 19:00 dhe do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Me këto dy miqësore, Kosova synon të përgatitet për ciklin kualifikues të Botërorit, i cili do të fillojë në muajin shtator, teksa Dardanët garojnë në Grupin B, me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.














