Borussia Dortmundi investoi 25 milionë euro për Yan Couton, por deri tani braziliani nuk ka arritur ta justifikojë këtë shumë. Edhe pse sezoni i tij i dytë ishte më i mirë se i pari, viti 2026 ka rezultuar zhgënjyes për 23-vjeçarin.
Në fillim të sezonit, Couto u dëmtua pas një ndërhyrjeje të ashpër në Kupë ndaj Essenit, por u rikthye shpejt dhe luajti 90 minuta në hapjen e Bundesligës. Në fund të sezonit, ai sërish mori vëmendje, këtë herë duke ndihmuar në fitoren 2-0 ndaj Werder Bremenit.
Braziliani e mbylli sezonin me gjashtë kontribute në gola, tre gola dhe tre asistime, një përmirësim i dukshëm krahasuar me edicionin e kaluar. Megjithatë, për një lojtar që kushtoi 25 milionë euro, shifrat mbeten modeste dhe etiketa “dështim në merkato” po bëhet gjithnjë e më e pranishme.

Në pjesën e parë të sezonit, Couto pati më shumë minuta dhe tregoi përparim. Ai uli gabimet teknike, përmirësoi pozicionimin, duelet dhe lojën fizike, ndërsa krosimet e tij u bënë më të rrezikshme. Por problemi i madh për të quhet Julian Ryerson.
Norvegjezi zhvilloi sezonin më të mirë të karrierës, duke dhënë 18 asistime. Kombinimi “krosim i Ryersonit, gol i Serhou Guirassyt” u kthye në armën kryesore të BVB-së. Për këtë arsye, trajneri Niko Kovac e ka pasur të vështirë t’i japë më shumë hapësirë Coutos.
Edhe pse Kovac e ka lavdëruar zhvillimin e brazilianit, faktet tregojnë tjetër gjë. Në shumë ndeshje, Couto ka mbetur gjatë gjithë kohës në stol. Në vitin 2026, ai ka qenë titullar vetëm katër herë, ndërsa që nga fundi i shkurtit ka luajtur vetëm 41 minuta.
Das. Mehr nicht. pic.twitter.com/XRRvsl4n0g
— Borussia Dortmund (@BVB) May 8, 2026
Kjo situatë nuk i shërben aspak lojtarit. Me Ryersonin që pritet të mbetet zgjedhja e parë në krahun e djathtë edhe sezonin e ardhshëm, një largim i Coutos nuk do të ishte befasi. Mediat gjermane tashmë e cilësojnë të ardhmen e tij si të pasigurt.
Pikëpyetje ka edhe për përshtatjen e tij në Gjermani. Gjatë verës, Couto pranoi për SporTV se kalimi në Gjermani kishte qenë më i vështirë nga sa e priste, si për shkak të klimës, ashtu edhe për mënyrën më të rezervuar të jetesës.
Përshtatja bëhet edhe më e vështirë kur një lojtar nuk ndihet i rëndësishëm dhe nuk luan rregullisht. Deri tani, Couto nuk e ka pasur këtë mundësi te Dortmundi. Për këtë arsye, pavarësisht talentit, investimi prej 25 milionë eurosh rrezikon të kthehet në një nga lëvizjet më të dështuara të klubit. /GazetaExpress/