Florian Marku, luftëtar i MMA, të premten më 8 qershor, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, do të ndeshet me serbin Sladjan Dragisiç, në një përballje që ka zgjuar shumë interesim.
Serbi Sladjan Dragisiç, paraprakisht kishte deklaruar se do të shkaktoj befasi në mes të Tiranës, duke aluduar në atë se do ta mposht Markun në shtëpinë e tij.
Megjithatë, në një intervistë për “Top Channel”, Florian Marku jo që ka premtuar fitore, por ka thënë se do ta mposht Dragisiçin me nokaut dhe atë qysh në raundin e parë.
“Dëshira ime është për t’i dhuruar spektakël publikut. Shpresoj, meqë edhe serbi ka dhënë një intervistë ku ka premtuar se do të luftojë si burrat, që të dy do të bëjmë një ndeshje të bukur dhe unë nga ana ime shpresoj të luftoj vetëm në këmbë. Pastaj, kush është më i forti do të shohim. Por, nëse ai e bën këtë gabim dhe ndeshet në këmbë me mua, u them shqiptarëve se ndeshja do të përfundojë shumë shpejt. Ka për ta parë veten pa ndjenja”, tha Marku.
Kick-boxeri Florian Marku , i pyetur se pse në meçet e tij, nuk janë të pranishëm disa prej anëtarëve të familjes së tij, si e ëma dhe motra e tij, ai tha se në ring duhet të jetë i qetë dhe mos të ketë stres nga jashtë.
“Më stresojnë dhe unë duhet të jem i qetë në ring. Diçka e tillë më ka ndodhur gjatë një dueli në Greqi, ku në mesin e 4.000-5.000 vetëve, unë dëgjova vetëm një zë që thërriste emrin tim. E kuptova që ishte motra ime dhe kjo më shpërqendroi. Nuk e dija që do të ishte aty dhe prej atëherë i kam lajmëruar të mos vijnë më të më ndjekin në luftërat që kam”, deklaroi Florian Marku. /Insporti.com