Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Sofjes dhe qyteteve të tjera bullgare mbrëmjen e 1 dhjetorit për t’iu bashkuar protestave kundër planeve buxhetore të koalicionit qeverisës, duke e detyruar Qeverinë të hiqte dorë nga to mëngjesin pasues.
Por, turma gjithashtu brohoriste “dorëheqje”, për shkak të zemërimit të madh për korrupsionin dhe problemet ekonomike.
Sheshi i Pavarësisë u mbush me njerëz në demonstratat më të mëdha që nga vitet e ’90-ta.
Partitë opozitare u mblodhën më 2 dhjetor për të biseduar për hapat e ardhshëm, mes thashethemeve nëse edhe ato do të kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
“E gjithë kjo gjendje me plehrat që kanë qenë në pushtet për 30 vjet, ose më shumë, thjesht duhet të mbarojë. Ne jemi njerëzit që duhet ta ndryshojmë këtë”, tha Aleksandar Karatov, një protestues në Sofje.
Pse tani?
Përqendrimi i menjëhershëm i protestave ishte për shkak të një projektbuxheti që parashihte rritjen e kontributeve individuale për pensionet dhe programet e sigurimeve shoqërore. Demonstratat u thirrën nga parti të opozitës që nuk gëzojnë mbështetje të lartë publike.
Por, këto ndryshime në buxhet – të kombinuara me rritjet e pagave për punonjës shtetërorë, sikurse për forcat e rendit – duket se e nxitën shpërthimin e zemërimit të akumuluar prej kohësh për korrupsionin dhe shpërdorimin e fondeve publike.
Karatov i tha Shërbimit bullgar të REL-it se pagesat e tij për sigurimet shoqërore dhe taksat nuk po menaxhohen me transparencë.
“Si punëtor, unë tashmë po plaçkitem. Rregullisht. Dhe, ata duan të vjedhin edhe më shumë. Nuk dua kurrsesi t’i lejoj ta bëjnë këtë”, shtoi ai.
Qëndrimeve të tij u bënin jehonë shumë të tjerë, pasi protestuesit brohorisnin “Qeveria është mafi”.
Organizata ndërkombëtare, Transparency International e rendit Bullgarinë si vendin e dytë më të korruptuar në Bashkimin Evropian, pas Hungarisë.
Bullgaria është gjithashtu vendi më i varfër i BE-së, sipas Zyrës së bllokut evropian për Statistika.
Ajo është edhe ndër anëtarët më të paqëndrueshëm politikisht të bllokut.
Bullgarët kanë shkuar në zgjedhje shtatë herë që nga viti 2021 për të zgjedhur një Parlament që është paralizuar nga një sërë koalicionesh të paqëndrueshme të udhëhequra nga parti të ndryshme qendrore dhe të djathta.
Një protestuese tjetër, Karolina Koleva, i tha REL-it se do të pranonte taksa më të larta për t’i financuar “pensionistët, nënat, mësuesit… kujdesin shëndetësor”, por “këto para do të zhduken sërish në bonuse për njerëz të ndryshëm”.
A rrezikohet Qeveria?
Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që propozimet buxhetore të Qeverisë përballen me protesta. Fillimisht ajo njoftoi se do t’i “rishikonte” planet pas protestave më 28 nëntor. Tani ka thënë se do t’i hartojë ato nga fillimi.
Përmasa e demonstratave të 1 dhjetorit i befasoi të gjithë. Në mënyrë të pazakontë, ato nuk ndodhën vetëm në Sofje. Turma u mblodhën në shumë qytete dhe fshatra në gjithë Bullgarinë.
Disa çështje duket se kontribuuan në këtë. Disa njerëz ishin të zemëruar për vendimin e Bullgarisë për ta zbatuar monedhën euro nga 1 janari.
Gjithashtu u vu re pakënaqësia e dukshme ndaj disa politikanëve specifikë, si Bojko Borisov, i cili ka qenë tri herë kryeministër për gjithsej nëntë vjet mes 2009-2021, dhe Deljan Peevski, ligjvënës dhe oligark i sanksionuar për korrupsion nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara.
Asnjëri prej tyre nuk mban aktualisht post qeveritar, por ata janë udhëheqës të dy partive që përbëjnë koalicionin qeverisës.
Protestuesi Stoycho Stoychevi tha REL-it se të dy burrat janë “simbol i shtetit të kapur”.
Ai tha se kishte ardhur në Sheshin e Pavarësisë për shkak të “zemërimit” të 15 vjetëve të fundit.
Ky ishte një tjetër faktor që i nxiti njerëzit të dalin në rrugë: fakti që politikanë si Borisov kanë qenë në qendër të pushtetit për dekada.
Një tjetër element që e shtoi vrullin e protestave ishte mbështetja për kryetarin e Bashkisë së Varnës, Blagomir Kotsev, i sapoliruar pasi kishte kaluar muaj në paraburgim për akuza korrupsioni që mbështetësit e tij i quanin të motivuara politikisht.
“Demokracia është korruptuar dhe ne duhet ta rikthejmë”, u tha Kotsev protestuesve në Varna.
Demonstruesit në Sofje, duke ndjekur fjalimin e tij në ekrane gjigante, brohoritën “Fitore”.
Borisov, Peevski apo kryeministri Rosen Zhelyazkov nuk kanë komentuar asgjë deri më tani.
Mbrëmjen e 1 dhjetorit, pati disa përplasje midis policisë dhe protestuesve. Autoritetet bullgare raportuan për 10 persona të ndaluar. Por, në përgjithësi, në të gjithë vendin, tubimet ishin paqësore.