BallinaBujqësiÇelësi i fitimit të milionave quhet Helikrisum

Çelësi i fitimit të milionave quhet Helikrisum

Napoleoni thoshte se mund t’ia ndiente aromën që nga anija sa herë që kthehej në Korsikë ende pa e parë bregun. Legjendat thonë gjithashtu se lulet e kësaj bime thaheshin për t’ua ofruar Zotave Grekë. Bëhet fjalë për helikrisumin, bimën mjekësore që po rritet në Shqipëri duke sjellë miliona fitime për fermerët e Koplikut. Bima është pjesë e mjekësisë tradicionale në vendet e Mesdheut dhe së paku dy vitet e fundit po njeh një zhvillim të madh.

Në zonën e Malësisë së Madhe, në Koplik jemi takuar me Agim Ramën, fermerin  që solli për herë të parë helikrisumin në vendin tonë. Në fermën e tij vështrimet e para të shpinin në larmishmërinë e ngjyrave, aq sa banorët tregojnë se fillimisht janë habitur me idenë e tij për bimën medicinale, pasi gjithkush mendonte se ishin lule aromatike, për shkak të koloreve të tyre.

“Ja, plot ngjyra është vendi. Ndonjëherë na jepte përshtypjen se ishin toka të lëna djerrë dhe në to kishin mbirë vetë manushaqet dhe trëndelinat. Më vonë kuptuam që ishin bimë mjekësore dhe shumë fitimprurëse. Sot, jemi të gjithë pro nismës së tij”, thotë Seferi, banor i fshatit Koplik. Megjithëse për fermerët e tjerë  risia ishte e çuditshme dhe deri diku e rrezikshme, për Agim Ramën ishte krejt e kundërta. Gjatë bisedës me të, ai na rrëfen sesi gjeti kontaktet e para për të mbjellë këtë bimë duke sjellë edhe një kulturë të re për gjithë fermerët e tjerë të zonës. “Unë kam shumë vite që merrem me bujqësi, gati 3 dekada.

Duke njohur edhe potencialin e madh të tokave tona jam fokusuar kryesisht në bimët medicinale, të cilat kërkojnë toka aluvionale dhe gëlqerore. Siç ka qenë e njohur dhe më parë për zonën, këtu, në Malësinë e Madhe, orientimi kryesor i fermerëve ka qenë sherbela. Mirëpo, njeriu nuk duhet të rrijë përherë me të vjetrën, duhet të kërkojë edhe për më shumë”, thotë Agimi duke na treguar më tej për hapësirat e mbjella në tokat e tij  si edhe përfitimet e marra.

“Fillimisht kam mbjellë  rreth një dynym, pastaj fillova të shtoja hapësirën duke mbjellë rreth 5 ha. Është një punë me leverdi në krahasim me të tjerat. Unë kam kultivuar edhe timus-in, levandën që janë bimë të mira dhe fitimprurëse, por tani po punoj fort me helikrisumin. Ka të ardhura marramendëse. Kur një miku im ma propozoi në fillim mendova “çfarë është kjo bimë që e quajnë “dielli i artë”, ndërsa më tej, kur më treguan për mënyrat e kultivimit dhe paratë e përfituara, sigurisht që u binda. Kush nuk do të bëhet i pasur. Dhe kështu fillova ta kultivoj. Sot, e shes në Shqipëri si fidan, por edhe jashtë. Po rritet interesi. Këtu, një kilogram i kësaj bime kushton është 150 lekë, por shitet edhe si bimë e njomë dhe nuk ka lodhje. Arrin të shkojë deri në 10 milionë hektarë fitimi”, tregon Agim Rama. Mirëpo, duket se fitimet më të mëdha për këtë bimë nuk janë të produkti i saj i parë, por te përpunimi.

Helikrisum është një bimë, e cila gjatë fabrikimit prodhon një vaj esencial që njeh një përdorim të gjerë në kozmetikë, por edhe në kirurgjinë mjekësore duke i dhënë fuqi rigjeneruese problemeve të lëkurës. Të ardhurat e kësaj bime arrijnë mijëra në euro fitime. “Vetëm një litër vaji në treg shitet rreth 1800 euro. Nga 1 hektar i mbejllë me helikrisum  mund merren rreth 3 ton masë e thatë bimore, nga e cila mund të nxirren rreth  tetë litër vaj esencial. Por, në kushte të mira, në varësi të vjetërsisë së tokës, një hektar mund të prodhojë 8 deri në 10 ton dhe në këto raste fermeri arrin të sigurojë rreth 18-20 mijë euro fitim në vit.”, tregon fermeri Rama. Milionat e fitimeve për fermerët në Koplik sa vijnë dhe shtohen, dhe po ashtu janë duke u shtuar edhe sipërfaqet e mbjella me këtë bimë. Duket se “kurbani” i parë, fermeri Agim Rama dha rezultat pozitiv edhe për gjithë të tjerët, të cilët këtë vit kanë shtuar tokat e mbjella me helikrisum.