Ish-gjenerali britanik, Ed Clulow, i cili ka shërbyer më parë në Kosovë, ka përshëndetur Traktatin e Miqësisë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, duke e vlerësuar faktin se kjo marrëveshje përfshin edhe angazhimin për sigurinë në Kosovë.
“Me të vërtetë janë lajme të mira që Kosova është bërë pjesë e marrëveshjes së shpallur ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar sepse na ka dhënë një kuptim që ajo që ndodh në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, nuk është harruar”, ka deklaruar Clulow.
Ai ka theksuar se Kosova dhe Serbia vazhdojnë të mos marrin rëndësinë që meritojnë në agjendën ndërkombëtare, por se angazhimi i Britanisë dhe Gjermanisë në KFOR është një sinjal pozitiv.
“Kosovës dhe Serbisë nuk u jepet rëndësia që e meritojnë, por ka qenë me të vërtetë e mirë për të dëgjuar që edhe Mbretëria e Bashkuar, edhe aleati shumë i madh, Gjermania, të dyja janë të zotuara në KFOR dhe mendoj se këto me të vërtetë janë sinajle shumë inkurajuese që janë vënë në një kohë kur më së shumti kanë nevojë për to, do të thosha”, shtoi ai.
Duke komentuar zhvillimet politike në rajon, Clulow u shpreh i shqetësuar për qëndrimet e njohura të liderëve dhe për qasjen e pabarabartë të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe Serbisë.
“Dy pozicionet e dy liderëve që janë të njohura nuk janë tejet pozitive dhe e dimë që Vuçiqi do të bëjë çdo gjë që mundet për t’u siguruar që sovraniteti i Kosovës dhe sundimi i ligjit në Kosovë të minohen në secilin moment, dhe përsëri, natyrisht e dimë që edhe Bashkimi Evropian duket se nuk është në gjendje të trajtojë Kosovën dhe Serbinë në mënyrë të barabartë në marrëdhënie, kështuqë çdo gjë që kryeministri në Prishtinë e thotë, ka për të tërhequr kritika, dhe Beogradi ka për t’i shfrytëzuar ato për të kanalizuar më shumë propagandë për qëllime të ngjashme”, ka thënë Clulow për Klan Kosova.