Cakolli: Viteve të fundit Kosova ka hyrë në një proces të rrezikshëm të “juridizimit” të politikës

Kritikat se Gjykata Kushtetuese po prodhon standarde të reja sa herë paraqitet një rast i ri, apo se po i rishkruan vazhdimisht standardet e mëparshme, janë të kuptueshme.
Kështu është shprehur Eugen Cakolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook. Sipas tij viteve të fundit Kosova ka hyrë në një proces të rrezikshëm të “juridizimit” të politikës
Postimi i plotë:
Kritikat se Gjykata Kushtetuese po prodhon standarde të reja sa herë paraqitet një rast i ri, apo se po i rishkruan vazhdimisht standardet e mëparshme, janë të kuptueshme. Por para se përgjegjësia të zhvendoset te Gjykata, duhet parë fillimisht pse po ka kaq shpesh nevojë për aktgjykime të saj.
Viteve të fundit Kosova ka hyrë në një proces të rrezikshëm të “juridizimit” të politikës. Për çdo krizë të re politike, çështja dhe debati barten te Gjykata Kushtetuese – te ajo çfarë ka thënë, çfarë ka ndryshuar apo çfarë ka lënë hapur.

Lexo edhe“S’ma pranuan këngën për shkak të Elhaidës?” Arta Bajrami zbulon çfarë ndodhi në Festivalin e RTSH-së
Ndërkohë, shumë më pak flitet për faktin se këto situata prodhohen politikisht dhe, jo rrallë, krejt qëllimshëm.
Asnjë Kushtetutë, ligj apo aktgjykim nuk mund t’i parashikojë të gjitha skenarët se si akterët politikë mundohen ta shtyjnë një normë deri në kufijtë e saj ose përtej tyre, t’i shfrytëzojnë hapësirat ndërmjet dispozitave apo të krijojnë situata të paparashikuara. Kështu, çdo krizë e re politike prodhon pashmangshëm edhe një çështje të re kushtetuese.
Problemi në themel është puro politik. Nëse politika vazhdon të prodhojë kriza që kërkojnë ndërhyrjen e vazhdueshme të Gjykatës, rreziku nuk është vetëm cenimi i besimit te institucioni, por shndërrimi i tij në një mekanizëm që zëvendëson vullnetin ose kompromisin politik.
E kështu, në fund të fundit, dëmtohet më së shumti demokracia.














