Edicioni i 21-të i BunarFest është mbajtur të dielën në Prizren, me c’rast rreth 50 pjesëmarrës vendorë e ndërkombëtarë janë lëshuar me goma në ujërat e Lumëbardhit për të arritur në cakun e vendosur te Ura e Gurit.
Sipas organizatorëve kjo ngjarje mundëson një përjetim të veçantë të Prizrenit për pjesëmarrësit, duke kontribuar kësisoj në promovimin e vlerave të qytetit të vjetër.
Pjesëmarrësit që janë veçuar si fitues nga organizatorët e kësaj ngjarjeje argëtuese e ndërgjegjesuese kanë qenë Lee Sailor, Bashkimi Jr. Team dhe Renata e Hana.
Pas përfundimit të garës, Lee Sailor ka vlerësuar si përvojë të jashtëzakonshme lëshimin me goma në ujërat e Lumëbardhit.
“Lëshimi me goma ishte mrekulli. Kalova shumë mirë. Uji ishte paksa i ftohtë, gjë që nuk e prisja, por gjithçka shkoi mirë”, ka thënë ai, raporton Telegrafi.
Edhe Renata Gjeraj është shprehur e kënaqur me pjesëmarrjen edhe në një edicion të BunarFestit.
“Gara ishte spektakël. Ndihem shumë mirë sepse kam ardhur nga Gjermania për këtë ngjarje. Atmosfera si secilën herë është fenomenale”, ka deklaruar ajo.
Në anën tjetër Dren Marseli bashkëthemelues i organizatës X40, e cila organizon BunarFestin ka theksuar se pavarësisht sfidave është vazhduar tradita e lëshimit me goma në Lumëbardh, si përpjekje për promovimin e qytetit.
“Besoj se e kemi përmbledhur mirë këtë edicion. Prizreni e ka ngrohtësinë e vet. Edhe ne si festival i japim hijeshi. Sivjet kanë qenë rreth 50 pjesëmarrës nga vende të ndryshme. Për neve është me rëndësi që të gjithë këta njerëz të kenë përshtypje të mira për Prizrenin dhe ta dërgojnë fjalën e mirë në vendet e tyre. Besoj se BunarFest u jep mundësinë njerëzve për ta përjetuar Prizrenin në mënyrë tjetër”, ka thënë Marseli, raporton Telegrafi.
Edicioni i 21-të i BunarFestit ka vazhduar me performancën muzikore në Kej dhe është përmbyllur me koncertin në Kino Lumbardh. /Telegrafi/