Inspektorati Qendror i Punës, në zbatim të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së dhe në kuadër të mandatit të tij ligjor, ka zhvilluar një aksion të jashtëzakonshëm inspektues në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me fokus të veçantë në sektorët me rrezikshmëri të lartë.
Sipas raportit 48-orësh të publikuar nga Inspektorati, inspektimet janë përqendruar në sektorin e ndërtimtarisë, ku është realizuar mbulim 100 për qind i kontrolleve në kuadër të këtij aksioni.
Në njoftim sqarohet se numri i ndalimeve të punimeve nënkupton automatikisht edhe numrin e kërkesave për kundërvajtje, ndërsa subjektet ndaj të cilave janë vendosur masa ndalimi do të procedohen në gjykata për kundërvajtje, në përputhje me shkeljet e konstatuara.
Po ashtu bëhet e ditur se procesi i riinspektimeve do të vazhdojë në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga inspektorët për verifikimin e eliminimit të parregullsive në vendet e punës.
Sipas inspektoratit, “eliminimi i parregullsive” nënkupton rastet kur subjektet e inspektuara kanë ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë. /Lajmi.net/