Përmes një njoftimi publik, Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës kanë bërë me dije së pavarësisht përfundimit në kohë të procedurave ligjore dhe administrative, nuk do të ketë ndarje të subvencioneve për projektet artistike dhe artistet për shkak të bllokimit të buxhetit të Komunës.
Reagimi i plotë:
Të nderuar artistë, organizata kulturore, institucione të pavarura dhe qytetarë të Prishtinës,
Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës ju njofton se, sikurse çdo vit, kemi përfunduar me kohë dhe në mënyrë të rregullt të gjitha procedurat ligjore dhe administrative për hapjen e thirrjes publike për mbështetjen financiare të projekteve kulturore dhe të artistëve të kryeqytetit. Ky proces është pjesë përbërëse e përkushtimit tonë për zhvillimin dhe promovimin e jetës kulturore në Prishtinë.
Përkundër gatishmërisë sonë të plotë për të përmbushur këtë detyrë, fatkeqësisht jemi të pamundur të procedojmë me ndarjen e subvencioneve për shkak të bllokimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës nga niveli qendror. Ky bllokim i pajustifikueshëm ka krijuar pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e sektorit kulturor dhe në mbështetjen ndaj krijuesve e organizatave që mbajnë gjallë jetën artistike të qytetit tonë.
Kjo gjendje e imponuar ka ndikuar negativisht në zhvillimin e projekteve kulturore, festivaleve, ekspozitave dhe iniciativave të tjera që e bëjnë Prishtinën një qytet me identitet të fuqishëm kulturor dhe krijues. Artistët tanë nuk meritojnë të ndëshkohen për shkak të një krize politike që po pamundëson ushtrimin normal të kompetencave të komunës dhe të drejtave të garantuara për komunitetin artistik.
Në emër të institucionit që përfaqësojmë, shprehim keqardhje të thellë për këtë situatë dhe kërkojmë mirëkuptimin tuaj. Përgjegjësia për këtë bllokade qëndron në vendimmarrje e padrejtë në nivelin qendror, që po pengon zhvillimin e jetës kulturore dhe duke dëmtuar drejtpërdrejt sektorin krijues në kryeqytet.
Drejtoria e Kulturës mbetet plotësisht e angazhuar që të mbrojë interesat e artistëve dhe institucioneve kulturore të Prishtinës dhe të kërkojë në vazhdimësi zhbllokimin e kësaj situate. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari që të rikthehet funksionimi normal dhe të mundësohet mbështetja që iu takon atyre që, me punë dhe pasion, po e pasurojnë jetën shpirtërore e kulturore të qytetit tonë.
Urojmë që kjo bllokadë politike të marrë fund sa më parë, dhe që së bashku të vazhdojmë ndërtimin e një Prishtine që vlerëson, ruan dhe promovon kulturën si pjesë thelbësore e identitetit të saj.