Mungesa e rojeve bregdetare dhe mungesa e kufijve ujorë për sigurinë për pushuesit çoi në bllokimin e tri plazheve në Vlorë, ku këtë të premte nisi një aksion kontrolli në të gjithë vijën bregdetare.
Ndërsa institucionet përgjegjëse kanë bërë ndërhyrjen për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Velipojës, duke bërë të mundur sekuestrimin deri tani të gjithsej 1.625 shezllonëve dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës, shkruan sot Koha Ditore.
Si rezultat, është rivënë në dispozicion 20% e hapësirë publike në plazhin e Velipojës.
E premtja e gjeti bregdetin e Shëngjinit me kulla vrojtimi, flamuj jeshilë dhe bova që bëjnë ndarjen e zonës së lundrimit nga ajo e notimit ku në 2 kilometra të zonës së populluar të plazhit janë vendosur 7 kulla vrojtimi të pajisura me vrojtues të kualifikuar, si dhe me të gjithë elementet e sigurisë.
Bashkia e Vlorës është e para që reagon kështu në lidhje me sigurinë e pushuesve pas të paktën 5 rasteve të mbytjeve që janë regjistruar këtë sezon turistik në plazhet e Shqipërisë edhe për shkak të mungesës së vrojtuesve dhe kushteve të tjera. Aksioni i Bashkisë Vlorë do të shtrihet nga plazhi i Ri deri në Orikum. Ai vjen dy ditë pasi ministri i Turizmit, Blendi Klosi, u dërgoi një letër kryetarëve të bashkive në zonat bregdetare për të marrë masa ndaj subjekteve abuzuese.