Bledi Mane shpërthen ndaj VIP-ave: “13 vjet u paguan nga qeveria, tani e shitën padronin!”

Në kulmin e protestave që kanë përfshirë Shqipërinë, gazetari Bledi Mane ka bërë një reagim të ashpër ndaj personazheve të njohur të ekranit dhe muzikës, të cilët, sipas tij, kanë përfituar për vite me radhë nga pushteti.
Mane, i njohur për qëndrimet e tij shpesh në mbështetje të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, këtë herë ka vënë në shënjestër VIP-at që, sipas tij, po i kthejnë shpinën qeverisë pas vitesh bashkëpunimi.
“13 vjet u paguan nga qeveria për koncerte e për tallava”, shkruan gazetari, duke pretenduar se disa prej tyre janë angazhuar në fushata elektorale, kanë përfituar prona, favore nga zyrtarët dhe madje janë bërë investitorë strategjikë.
Por kritikat nuk ndalen këtu. Mane hedh akuza edhe për përfitime nga tenderët publikë, punësime familjarësh në administratë dhe shmangie të detyrimeve ndaj shtetit, pa përmendur emra konkretë apo paraqitur prova për këto pretendime.

Lexo edheInva Mula thirrje për reagim: Zëri duhet ngritur sot
“Ndërkohë erdhi dita dhe e shitën padronin, e shitën partinë dhe sponsorin e tyre”, shprehet ai, duke i akuzuar për mosmirënjohje ndaj atyre që, sipas tij, i kanë favorizuar.
Reagimi vjen në një moment kur Shqipëria po përjeton ditë të njëpasnjëshme protestash kundër qeverisë Rama, të nisura nga të rinjtë dhe studentët, me kërkesa që lidhen me korrupsionin, arsimin dhe dorëheqjen e kryeministrit. Protestave u janë bashkuar publikisht edhe figura të njohura të showbizit shqiptar.
Mane nuk përmend se cilëve artistë u drejtohet, por mesazhi i tij është i qartë: sipas gazetarit, disa prej atyre që sot distancohen nga pushteti kanë qenë për vite ndër përfituesit e tij.















