Dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan, James Rubin, si dëshmitari i parë për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar për sot në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë dhe do të vazhdojë nesër për ditën e tretë radhazi.
Rubin e nisi dëshminë me përshkrimin e qëndrimit fillestar të Shteteve të Bashkuara ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitin 1999, transmeton lajmi.net.
Ai tha se fillimisht në Uashington ekzistonte një perceptim ndryshe.
“Ne e përshkruanim atë si organizatë me aktivitete terroriste, duke shtuar se ‘ne, natyrisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste’”, deklaroi Rubin.
Por, sipas tij, “ky qëndrim ndryshoi, sidomos pasi UÇK-ja u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë”.
Ai shtoi se organet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) shpesh nuk e përshkruanin saktë realitetin në Kosovë. I pyetur për një raport të vitit 1998 të OKB-së, ku përmendej rrëmbimi i civilëve serbë, shqiptarë dhe romë nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së, Rubin tha se kishte hezituar t’i besonte.
“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh”, theksoi ai.
Roli i Demaçit
Gjatë pyetjeve nga gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux, Rubin foli edhe për rolin e Adem Demaçit brenda UÇK-së.
Ai tha se ndikimi i Demaçit ishte ideologjik, e jo ekzekutiv. “Nuk kam pasur kurrë kontakt me të dhe nuk kam dijeni që ai të ketë dhënë urdhra apo vendime si përfaqësues i UÇK-së”, tha Rubin.
Ai e përshkroi Demaçin si figurë simbolike e historike, rëndësia e së cilës vinte nga qëndrimi i tij për pavarësinë, jo nga autoriteti ekzekutiv.
Rubin hodhi poshtë idenë se UÇK funksiononte me një hierarki të qartë ushtarake.
“Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK”, tha ai, duke kujtuar se edhe diskutimet në administratën amerikane të Bill Clintonit për armatosjen e UÇK-së kishin hasur në këtë problem.
“Ne kemi thënë se kjo nuk është ide e mirë, sipas nesh, sepse nuk ekziston një strukturë e mirëfilltë politike, ose nuk ka kontroll efektiv”.
Thaçi si lider i zgjedhur nga shqiptarët Rubin e përshkroi Hashim Thaçin si personin kyç me të cilin duhej punuar për Rambujenë.
“Ne mendonim se LDK-ja, Veton Surroi, ishin dakord për këtë, dhe ajo [sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright] më tha që duhej të punoja me të [Thaçin], sepse ishte personi i rëndësishëm, ishte personi kryesor që e kishin caktuar shqiptarët e Kosovës”, tha Rubin.
“Nëse doni e quajmë udhëheqës, nëse doni person të kontaktit”, shtoi ai, duke e përshkruar rolin e Thaçit si të një “ministri të Jashtëm të Kosovës”.
Ai foli edhe për një bisedë të Thaçit me presidentin amerikan, Bill Clinton, në qershor 1999. Sipas Rubinit, Thaçi ishte zotuar se do t’i respektonte pakicat, pavarësisht dhunës që shqiptarët kishin përjetuar për vite të tëra.
“Unë kam dëgjuar nga Sandy Berger, këshilltari për siguri i presidentit Clinton, sepse unë nuk kam folur drejtpërdrejt me presidentin. Ai i kishte thënë presidentit Clinton se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, nuk do të kundërpërgjigjeshin”, tha Rubin.
Konflikti me Christopher Hill
Në Hagë, Rubin kujtoi edhe qëndrimin e diplomatit amerikan Christopher Hill ndaj Thaçit në Rambuje.
“E dija se Chris Hill do të jepte shpjegime negative për sjelljen e tij dhe do të bënte komente negative për Thaçin te delegacioni amerikan, dhe mund t’i bënte këto edhe për senatorin Bobe Dole”, tha ai.
Rubin shtoi se Thaçi i kishte treguar për vështirësitë e udhëtimit drejt Rambujesë, pasi kishte fletarrestim nga Serbia në mars 1999. “Nuk e pashë fletarrestimin, por i besova”, tha ai. Artikulli i The New York Times dhe kritikat për autorin I pyetur për një artikull të gazetës The New York Times të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kishin kryer vrasje brenda radhëve të tyre, Rubin tha se nuk e mbante mend, por e vuri në dyshim autorin, Chris Hedges.
“Autori i këtij artikulli, në mënyrë të vazhdueshme, ka shkruar fjali që kanë qenë të rreme”, tha ai.
Kritikat ndaj Gjykatës Speciale
Rubin nuk la pa përmendur as kritikat për vetë Gjykatën Speciale. “Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson”, deklaroi ai, duke e cilësuar të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve./lajmi.net/