“Bindja absolute e çdo pushtetari në Kosovë është se qytetarët janë hajvana”

Deputeti i Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka, ka komentuar në lidhje me raportet rreth një kontrate të nënshkruar nga Presidenca e Kosovës me Qendrën Sportive “Learti” në Prishtinë për huazimin e fushës sportive për të luajtur futboll.
Zeka, ka thënë se po të lexohet reagimi i Presidencës, shihet se ky insititucion nga viti 2008 ka vjedhur dhe po vazhdon të vijedh.
Ai ka thënë se ky reagim është bindje absolute e çdo pushteti në Kosovë, se qytetarët janë “hajvana” dhe nuk “meritojnë kërkimfalje”.
“Lexoni reagimin e Zyrëss së Presidentit: Që nga viti 2008 të gjithë presidentët kanë vjedhur, kemi vjedhur edhe ne e hiq nuk u ba nami. Ky reagim është bindje absolute e çdo pushtetari në Kosovë se qytetarët janë hajvanat, të cilët as nuk kuptojnë, as nuk meritojnë me ju kërku falje…”, ka shkruar Zeka në një postim në Facebook.

Lexo edheNë një odë, burrat qajnë për ikjen e të rinjëve (VIDEO)
Në reagimin e Zyrës së Presidentit, thuhej se që kur Kosova e kishte shpallur pavarësinë e saj, të gjithë presidentët e Kosovës kishin paguar hapësira të ndryshme sportive për personelin e tyre.
“Prej vitit 2008, pavarësisht se kush ka qenë president i vendit, Presidenca si institucion, sikurse edhe shumica e institucioneve të tjera, në vazhdimësi kanë pasur dhe kanë kontrata për shfrytëzimin e hapësirave të ndryshme sportive”, thuhej në reagimin e Presidencës.
Kontrata ka vlerë të përgjithshme prej 950 eurove, që i bie se Zyra e Presidentit Thaçi do t’i paguajë rreth 160 euro në muaj Qendrës Sportive “Learti”.














