Por, kjo kompani ka qenë partnere në projekte auditimi me kompaninë “Audit Conte”, që është në pronësi të Ymer Shatrit, babait të Besa Shatri-Berishës, kryetares së bordit të Telekomit të Kosovës.
Por kjo gjë, është duke u hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsion, të cilët i thanë Gazetës Insajderi, se ata e kanë pranuar informatën në fjalë dhe të njëjtën do ta trajtojnë konform dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
“Agjencia ju njofton se informatën në fjalë e ka pranuar, dhe të njëjtën do ta trajtojë konform dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe procedurave të parapara për vlerësimin e informacioneve lidhur me situatat e mundshme të konfliktit të interesit. Për më tutje, Agjencia i bën të njohura rezultatet vetëm pasi të ketë zhvilluar procedurën sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre, dërguar Gazetës Insajderi.
Kryetarja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri – Berisha, njëherësh edhe gruaja e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, bashkë me kryeshefin e Telekomit Bedri Istrefi, mbajtën fshehur për publikun detajet e raportit të dyshimtë të “Mazars”.
Ata në konferencën e 30 korrikut iu përgjigjen gazetarëve se raporti i kësaj kompanie është mbrojtja e ndërmarrjes publike, në rast se “Z-Mobile”, do ta padisë sërish në arbitrazh ndërkombëtar “Telekomin e Kosovës”.















