Drenica e Drita luajnë pa gola Drenica dhe Drita kanë marrë nga një pikë nga ndeshja që u zhvillua në fushën me baltë të Skenderajt, që pos që nuk prodhoi lojë të mirë, nuk e solli asnjë gol.
90-minutëshi i zhvilluar në kuadër të xhiros së 16 të Vala Superligës ishte i luftuar nga të dy ekipet, që në fund u deshën të kënaqen me nga një pikë, përcjellë “GazetaOlle.com”.
Trajneri i Dritës, u shpreh i tmerruar me gjendjen e stadiumit në Skenderaj.
Sipas tij, terreni dhe zhveshtoret ishin skandaloze.
“Është për çdo kritikë Komisioni që e bënë vlerësimin e tereneve, pasi sot në Skenderaj nuk kishte as kushte minimale për futbollistët në dhomat e zhveshjes e lëre më në fushën e lojës”.
“Futbollistët nuk patën ku të ndërroheshin, derisa kushtet higjienike ishin të tmerrshme. Për më tepër nuk kishte as ujë dhe futbollistët mbetën pa u pastruar”.
“Jemi në shekullin e 21-të dhe është mëkat për këta futbollistë që të shkojnë me lloç në shtëpitë e tyre”, deklaroi Isufi.
Më tej Isufi shtoi se Komisionet për vlerësimin e tereneve duhet të merren me këto punë edhe gjatë kampionatit dhe jo vetëm në fillimin e saj, pasi sipas tij ka edhe shumë zhveshtore të tjera në Superligën e Kosovës të cilat janë në gjendje të mjerueshme.






