Bashkëpunimi i Fakultetit Juridik me Akademinë prestigjioze të Nurembergut

Fakulteti Juridik i UP-së do të ketë një bashkëpunim të avancuar me Akademinë e Nurembergut (International Nuremberg Principles Academy) që përfaqëson një institucion unik, me reputacion ndërkombëtar dhe e vendosur në një vend historik ku është zhvilluar gjyqi i Nurembergut (Nuremberg, Gjermani), e fokusuar në avancimin e së drejtës penale ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.
Dekani i fakultetit, Prof.Avni Puka me datë 10-12 dhjetor 2025 ka realizuar vizitë zyrtare në Nuremberg, me ftesë të Akademisë së Nurembergut, ku përveç pjesës së prezantimeve në forumin e saj, takimeve me stafin dhe studiues të përfshirë në punën e akademisë, dekani është pritur në një takim të veçantë nga Drejtori Prof.Christoph Safferling.
Bashkëpunimi me Akademinë e Nurembergut do të përfshijë realizimin e vizitave studimore, pjesëmarrjen e personelit akademik dhe studentëve në konferenca, aktivitete hulumtuese me nivel të lartë, forume, seminare, projekte hulumtuese dhe publikime në kuadër akademisë.

Lexo edheHoti: Zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet të sjellin normalitet dhe të largojnë qeverisjen e Kurtit

Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi do të fokusohet në mbështetjen e programit master në gjuhë angleze të Fakultetit Juridik “Human Rights, International Criminal Law and Transitional Justice”, përmes pjesëmarrjes së profesorëve nga Akademia e Nurembergut dhe Shkolla Juridike e Universitetit të Erlangenit në ligjërata dhe organizimin e vizitave studimore të studentëve të këtij programi në Nuremberg, si dhe mbështetjen e zhvillimit e avancimit të misionit të “Qendrës për Studimin e Gjenocidit, Holokaustit dhe Drejtësi Tranzicionale” që është themeluar pranë Fakultetit Juridik UP.
Në përgjithësi, puna e Akademisë së Nurembergut si institucion prestigjioz, mbështet luftën kundër pandëshkueshmërisë për krimet kryesore ndërkombëtare si: gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimi i agresionit. Fokusi dhe aktivitetet e Akademisë ndërtohen mbi trashëgiminë e Parimeve të Nurembergut, një trashëgimi e qëndrueshme nga gjyqi i Nurembergut dhe një simbol evokues i sundimit të ligjit dhe drejtësisë për krimet ndërkombëtare.















