Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë, Petrit Malajn dhe zëvendësamabasadoren, Pranvera Teli.
Ai i ka uruar ata për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshin, për çka Basha ka thënë se është ngjarje e rëndësishme për shtetin shqiptar.
“Gjatë takimit, Kryetari dhe Ambasadori diskutuan për idenë e mundësisë së krijimit të një Zyreje Ndërlidhëse në kuvendet e të dyja shteteve, ku deputetët do të informohen në kohë reale për zhvillimet brenda institucioneve përkatëse, pastaj ku shkëmbehen njoftimet për qëndrimet e kuvendeve në raport me temat e caktuara si dhe ku përditësohen lajmet lidhur me procedurat dhe iniciativat në zhvillim me rëndësi për vendet tona. Kjo do të ndihmonte edhe në mësim reciprok nga përvoja e komisioneve parlamentare dhe trupat punuese të dyja shteteve, ku shkëmbimi i praktikave më të mira dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional do të lehtësonte adresimin e çështjeve të përbashkëta për të avancuar agjendat e zhvillimit të dy kuvendeve”, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.
Basha ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shqipërisë për procesin e integrimit të Kosovës në BE, për çka ka shprehur angazhimin serioz të Kuvendit për të avancuar në këtë drejtim.
“Ai gjithashtu uroi Ambasadorin Malaj për hapjen e katër kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke vlerësuar këtë arritje si moment të rëndësishëm përpara në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kuadër, Kryeparlamentari Basha kërkoi gjithashtu mbështetje të mëtejshme nga Shqipëria për t’u përballur me sfidat që Kosova po kalon, sidomos përballë agresionit të vazhdueshëm nga Serbia, e cila, në forma të ndryshme ndërmerr sulme diplomatike, propagandistike dhe destabilizuese ndaj Kosovës. Kryetari gjithashtu kërkoi nga shteti shqiptar që në takimet me partnerët ndërkombëtarë, të insistojë për largimin e masave të padrejta ndaj Kosovës, duke theksuar nevojën për qasje të drejtë dhe të barabartë në raport me shtetin dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Ai e ka falënderuar Malajn për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin për bashkëpunim mes dy shteteve duke theksuar nevojën për sinkronizim edhe më të madh mes institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha nivelet, për të përballuar me sukses sfidat e përbashkëta dhe për të avancuar agjendat evropiane të shteteve tona.