Janë këta banorët e fshatit Godanc të Shtimes, të cilët po qëndrojnë para ndërtesës së komunës, duke kërkuar përgjigje nga kryetari i komunës se përse po e neglizhon asfaltimin e rrugës ku jetojnë.
Thonë se kryetari, Naim Ismajli, për shkaqe politike e partiake e ka lënë vetëm rrugën e tyre të paasfaltuar, raporton KTV.
Pasi qëndruan për disa minuta para ndërtesës së komunës, ata i priti në takim kryetari Naim Ismajli.
Banorët thanë se Ismajlit nuk i kishte pëlqyer prezenca e KTV-së dhe se për këtë, do ta shtyjë asfaltimin e rrugës edhe për dy vjet.
Akuzat e banorëve i ka mohuar Fatmir Rexhepi, zyrtar i komunës së Shtimes. Ai ka thënë se asfaltimi i rrugës nuk është në plan për këtë vit.
Shumë rrugë të fshatit tashmë kanë infrastrukturën e duhur, derisa ajo Kozhinca me 150 shtëpi, vazhdon të presë komunën.
Banorët kanë paralajmëruar bllokim të punimeve në pjesa të tjera të fshatit, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.