Familja e Fitim Thaqit u ka kërkuar falje gjithë gazetarëve të Kosovës për sulmin që ka ndodhur ndaj Vehbi Kajtazit. Axha i Fitimit, Fetahu ka thënë se i kërkojnë falje edhe Kajtazit për ngjarjen që ka ndodhur. Ai ka mohuar se djali i tyre ishte i nxitur nga Milaim Zeka për ta rrahur gazetarin. Reagimi i familjes së Fitim Thaqit vjen dy ditë pasi djali i tyre rrahu Vehbi Kajtazin, pronarin e portalit “insajderi”
Axha i Fitim Thaqit, Fetahu u ka kërkuar falje publike gazetarit Vehbi Kajtazi dhe gjithë gazetarëve për sulmin fizik që ndodhi të shtunën ndaj drejtorit të Insajderit.
Thaqi thotë se janë ndier keq kur kanë marrë lajmin se djali i tyre ka rrahur një gazetar.
Axha i Fitimit ka thënë se po tenton ta takojë Vehbi Kajtazin për t’i kërkuar falje personalisht.
Fitim Thaqi 30 vjeçar nga Llapushniku i Drenasit vazhdon të mbetet nën masën e ndalimit. Janë publikuar disa fotografi se i njëjti shoqërohej me liderët kryesorë të Shtetit, përfshirë, Kadri Veselin, Azem Sylën, Behgjet Pacollin, Adem Grabovcin etj.
Fetahu thotë se Fitimi ka qenë entuziast dhe ka marrë pjesë në fushata, por liderët nuk e njohin atë.
“Është e vërtetë që është nip i Kishnarekës. Ka dalë nëpër fushata me gjithë liderët. Por, ju garantoj se as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Behgjet Pacolli nuk e njohin Fitimin”, ka thënë Fetahu.