Mbrojtja e Liridon Restelica ka reaguar publikisht pasi gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Përmes një reagimi publik në facebook nga avokatët mbrojtës, thuhet se vendimi i gjykatës konfirmon që nuk kanë ekzistuar kushtet ligjore për shqiptimin e paraburgimit.
“Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, duke konfirmuar qëndrimin dhe argumentet tona si mbrojtje se nuk kanë ekzistuar kushtet ligjore dhe as elementet e nevojshme për shqiptimin e një mase të tillë”, thuhet në reagim.
Sipas mbrojtjes, ky vendim dëshmon se pretendimet ndaj Restelicës nuk kanë qenë të mbështetura në baza të mjaftueshme juridike për kufizimin e lirisë së tij.
Avokatët kanë bërë të ditur gjithashtu se i mbrojturi i tyre ka bashkëpunuar me institucionet dhe nuk ka refuzuar të ofrojë informacione lidhur me rastin.
“Liridon Restelica në asnjë moment nuk ka hezituar apo refuzuar të ofrojë të gjitha informacionet që posedon pranë organeve shtetërore”, thuhet më tej në reagim./IndeksOnline/