Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyra regjionale në Ferizaj, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për ndalimin e shitjes së produkteve të bylmetit dhe shpezëve në hapësirat publike pranë tregut të gjelbër të qytetit.
Gjatë një inspektimi të përbashkët me Policinë e Kosovës, janë identifikuar raste të shumta të tregtimit të produkteve ushqimore në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare.
Sipas AUV-së, produktet si djathi, gjiza, qumështi i freskët dhe nënproduktet e tjera të qumështit janë ofruar për shitje në temperatura ambienti dhe në hapësira të pambrojtura, në kundërshtim të plotë me standardet ligjore për sigurinë ushqimore, raporton lajmi.net
“Produktet e qumështit duhet të ruhen dhe ekspozohen në kushte frigoriferike prej 0–6°C dhe të jenë të mbrojtura nga ndotja e jashtme”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Bazuar në Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, inspektorët kanë ndërmarrë veprime për largimin e produkteve të pasigurta nga tregu, si dhe ndalimin e menjëhershëm të shitjes në kushte të tilla. Për shitësit që nuk i respektojnë rregullat, parashihet konfiskimi dhe asgjësimi i produkteve, si dhe ndëshkime ligjore.
AUV i ka bërë apel qytetarëve që gjatë blerjeve të jenë të kujdesshëm dhe të blejnë vetëm produkte që ruhen në kushte të duhura dhe të kenë etiketim të qartë për origjinën dhe afatin e përdorimit.
Gjatë të njëjtit aksion kontrolli, është konstatuar edhe tregtim i paligjshëm i shpezëve në trotuaret përreth tregut. Kjo praktikë, sipas AUV-së, jo vetëm që pengon lëvizjen e këmbësorëve, por paraqet edhe rrezik për shëndetin publik për shkak të mungesës së kushteve bazë higjieno-sanitare.
“Shitja e shpezëve në trotuare është e ndaluar me Ligjin për Ushqimin, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor”, thuhet në njoftim.
Inspektorët, në bashkëpunim me Policinë, kanë larguar menjëherë shpezët nga hapësirat publike, ndërsa paralajmërojnë se në rastet e përsëritura, do të pasojnë masa më të ashpra si konfiskimi dhe asgjësimi i kafshëve.
AUV rithekson përkushtimin për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të garantuar standarde të larta të sigurisë ushqimore, përmes inspektimeve të vazhdueshme në gjithë territorin e vendit.
“Inspektorati veterinar do të veprojë në çdo rast të shitjes së paligjshme të produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe kafshëve apo shpezëve në hapësira publike”, përfundon njoftimi.
Postimi i plotë: