Më shumë se dy javë më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, zbardhi synimet e reja të tij – në Kosovë.
Në një deklaratë publike, ai shprehu aspiratat për ndërtimin e një autostrade që lidh Serbinë me Kosovën, më saktësisht territorin serb me Mitrovicën, shkruan IndeksOnline.
Madje, Vuçiq pretendoi të zgjatë projektin infrastrukturor, duke e lidhur autostradën edhe përtej Mitrovicës.
Por, për të financuar dhe realizuar një projekt të tillë, Vuçiq kërkonte ndihmën e SHBA-së.
“Jemi të gatshëm të paguajmë për ndërtimin, pra 45 kilometra autostradë deri në Mitrovicë. Ne po paguajmë gjithçka, çmimin e plotë, vetëm që amerikanët të sigurohen që Prishtina të mos shkaktojë probleme për këtë çështje”, deklaroi ai.
Një pretendim i tillë serioz, fatkeqësisht, u tejkalua në heshtje.
IndeksOnline ka kontaktuar misionet diplomatike amerikane në Kosovë dhe Serbi, për të marrë një qëndrim në këtë çështje.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë e drejtoi gishtin kah ajo në Beograd. Ndërkaq, përfaqësia diplomatike amerikane në Beograd refuzoi të shprehë qëndrimet e saj.
“Nuk kemi asgjë për të thënë lidhur me këtë gjë!” deklaroi në formë të prerë, Ambasada e SHBA-së në Beograd.
Nga ana tjetër, IndeksOnline ka dy javë që ka kontaktuar edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të marrë një deklarim zyrtar mbi këto pretendime të Vuçiqit.
Por, as ekzekutivi nuk u përgjigj në pyetjet e ngritura mbi cenimin e sovranitetit të Republikës.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti serb bën pretendime territoriale mbi Republikën e Kosovës.
Ai vazhdon të iluzionojë Kosovën si pjesë të Serbisë, teksa Republikën disa herë e kishte akuzuar se kinse po bën “spastrim etnik” ndaj serbëve./IndeksOnline/