Aleanca për Shqiptarët (ASH) e udhëhequr nga Arben Taravari thekson se ministri aktual i shëndetësisë, Azir Aliu ka mashtruar 155 punonjës shëndetësorë në Tetovë, duke u premtuar se problemi me ta do të zgjidhet dhe se do të ketë vendime pune.
Ja reagimi i plotë:
Më 17 qershor 2025, Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një vizitë publike në Spitalin Klinik të Tetovës, u premtoi 155 infermiereve dhe punonjësve shëndetësorë se problemi me vendimet e punës do të zgjidhet “shumë shpejt”. Ai deklaroi se ata janë pjesë vitale e sistemit shëndetësor dhe se zgjidhja “duhet të ndodhë para afateve ligjore”.
Por sot, më 20 korrik, ajo që mbetet nga ato deklarata janë vetëm fjalë boshe.
Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Azir Aliu, ka dështuar rëndë. Fondi për Sigurim Shëndetësor, me dokument zyrtar të datës 14.07.2025, të nënshkruar nga dy drejtorë të saj, ka dhënë “mendim negativ” për kërkesën për punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës.
Kjo është jo vetëm një goditje e rëndë për stafin shëndetësor që punon në kushte të vështira dhe pa status të siguruar, por edhe një turp i madh politik për ministrin Aliu dhe subjektin që e propozoi – VLEN.
Ky është mashtrim publik me kamera. Premtim i dhënë, por i tradhtuar. Garanci e dhënë, por e braktisur.
Kjo tregon qartë pafuqinë totale të Ministrit të Shëndetësisë për të ndikuar në vendimmarrjen institucionale edhe kur bëhet fjalë për çështje jetike për komunitetin shqiptar,por e qasjen përjashtuese dhe diskriminuese të shtetit ndaj institucioneve ku shumica janë shqiptarë, duke përdorur burokracinë si instrument për të shtypur të drejtat themelore – siç është e drejta për punë të qëndrueshme.
Ne i kujtojmë Ministrit Azir Aliu se qytetarët nuk kanë harruar premtimet e tij të zëshme në fillim të mandatit, dhe as nuk do ta harrojnë heshtjen e tij të sotme – në ditën kur vendimi zyrtar për refuzim ka dalë.
Nëse Ministri i Shëndetësisë nuk është në gjendje as të bindë Fondin për të përkrahur një vendim që vetë e ka iniciuar, atëherë është e qart, Aliu nuk është Ministër, por një spektator i paaftë në një sistem që i përjashton shqiptarët.
E njëjta gjë vlen edhe për VLEN, nëse nuk mund të sigurojë të drejtat më elementare të profesionistëve shqiptarë në institucionet publike, atëherë e ka humbur të drejtën morale për të përfaqësuar këtë popull”, reagoi ASh.